Telegrafi

Importet financohen nga ekonomia e zezë

Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar për muajin maj 2008 prej 142.0 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 114.3 milionë euro të muajit maj të vitit 2007. Eksportet e Kosovës në drejtim në shteteve tjera në muajin maj ishin në vlerën prej 26.0 milionë eurove, ndërsa importet në shumën prej 168.0 milionë euro.

“Është një rritje prej 65,5% e eksporteve dhe 29,2% për importet, krahasuar me majin e vitit të kaluar”, thuhet në publikimin e Entit Statistikor të Kosovës.

Safet Gërxhaliu, sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës tha se kjo rritje e deficitit tregtar tregon pikë së pari për mungesën e konsumit të prodhimeve vendore.

“Tranzicioni në çdo shtet paraqet një periudhë kohore ku ka kanale të ndryshme informale të ardhurave. Në Kosovë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë vlerësuar se ekonomia informale është në nivelin e 1.2 miliard eurove. Kjo është shifër e verifikuar. Mendojeni se sa do te jetë shifra e parave që nuk dihet nga vinë dhe nuk ka asnjë statistikë për to”, tha Gërxhaliu.

Ai mendon se përkeqësimi i bilancit tregtar dhe rritja e importeve është një vërejtje për qeverinë aktuale, se duhet të ndërmarrë diçka në këtë drejtim me qëllim mbrojtjen e prodhimeve vendore, përkrahjen e komunitetit të biznesit në nivelin që e mbështesin shtetet e rajonit etj.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, (70,1%) të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (11,3%) produktet minerale, (4,4%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (3,4%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (2,5%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (2,2%) lëkurë dhe artikuj prej tyre etj.

Ndërsa për sa i përket importeve (20,3%) të tyre e përbëjnë produktet minerale, (13,7%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (10,5%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (10,4%) metale bazë dhe artikuj prej tyre, (6,9%) produkte të industrisë kimike, (6,4%) produktet bimore, (5,9%) mjetet e transporti etj.

Ndërsa vendet ku më së shumti kemi eksportuar në vendin e parë është Italia (21,8%), Belgjika (18,1%), Maqedonia (10,7%), Greqia (7,6%), Zvicra (7,4%), Shqipëria (5,7%) etj.

Ndërkohë vendet ku më së shumti kemi importuar mallra janë Maqedonia (22,6%),
Serbia (9,4%), Gjermania (9,2%), Turqia (8,0%), Kina (5,3%), Italia (4,0%) etj.
Në total Bashkimi Evropian me (36,3%) bënë pjesë në importet e vendit tonë, kurse në eksport merr pjesë me (57,5%). /Telegrafi/