Në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini janë zhvilluar debate të ashpra nëse skuadra e Kosovës në futboll duhet të quhet “përfaqësuese” apo “kombëtare”.
Ish–futbollisti i Kombëtares Shqiptare në futboll, Redi Jupi ka thënë se në Shqipëri “Kombëtarja e Kosovës” ka fituar shumë simpati.
Trajneri Bylbyl Sokoli ka thënë se në Shqipëri shprehjen “kombëtare” e kanë huazuar nga italishtja, që ekipin e tyre e quajnë “Nazionale”.
Ai ka thënë se në këtë kontekst çdo ekip shtetëror, që luan ndeshje ndërkombëtare, e quajnë kombëtare.
Analisti Imer Mushkolaj ka reaguar ashpër ndaj Sokolit duke i thënë “lejoni njerëzit ta quajnë ekipin e tyre si e ndjejnë”.
“Unë e ndjej si kombëtare ekipin e Kosovës dhe ashtu e quaj. Ti e ndjen përfaqësuese, ashtu quaje. Jemi në rregull”, ka deklaruar Mushkolaj.
Sokoli nga ana tjetër ka replikuar duke i thënë Mushkolajt se nëse ai e pranon se ekziston kombi kosovar atëherë edhe ai pajtohet me konstatimet e këtij të fundit.
“Çka ka të keqe nëse e pranoj që ekziston kombi kosovar”?, ka reaguar Mushkolaj.
Kundër replika e Sokolit ishte se “e keqja është që kombi kosovar nuk ekziston”.
Mushkolaj ka thënë se me logjikën që përdorin panelistët Artan Abrashi dhe Bylbyl Sokoli “Kosova nuk ka pasur nevojë të ketë edhet shtet, sepse e ka pasur Shqipërinë”.
Në debat janë përfshirë edhe panelistët tjerë.
Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Artan Abrashi i ka thënë Mushkolajt se “e keni gabim këtë tezë për të cilën je duke debatuar prej një ore”.
Reagimi i Mushkolajt ka qenë i menjëhershëm duke i thënë Abrashit se “Vetëvendosje gjithmonë mendon se të tjerët e kanë gabim”. /Telegrafi/