Site icon Telegrafi

IMAZHI I MUNGESËS

Poezi nga: Mahmoud Darwish
Përktheu: Roland Gjoza

Krijova imazhin e mungesës; jashtë kësaj bote tokësore
fillon qielli i humbur. Unë jam këtu duke mbushur
hapësirën me odet e Jahiliyyah-it dhe mungesa
është udhërrëfyese, është udhërrëfyese mungesa. Një tendë është ngritur
me rima. Dhe për çdo gjë që lëviz në erë
është nga një rimë. Mungesa më jep mësimin e saj; po të mos ishte
mungesa, unë s’do të isha kaq i vendosur.
Pastaj nga zbrazëtia nxjerr një letër shkëputur prej alfabeteve të lashtë
dhe mbështetem te mungesa. Kush jam unë
pas gjithë kësaj? Një zog, apo një kalimtar që përshkon simbole
dhe shitës kujtesash? Ah, sikur të isha një fragment i antikës,
sikur të isha një fantazmë që hyn pa u vënë re në Yabous duke i thënë vetes;
le të shkojmë te shtatë kodrat. Lë maskën
mbi një gur dhe kalamendem si i pagjumë
ec e ec duke ndjekur ëndrrën time. Dhe hidhem nga njëra hënë tek tjetra.
Dhe krejt i pavetëdijshëm çliroj gjërat nga historia e tyre.
Dhe më mjafton historia për të çliruar pavetëdijen që zgjohet. Më ço te vitet e hershme, thotë dashuria ime e parë.
Lëre dritaren hapur të hyjë harabeli i shtëpisë
ëndrra jote, them unë, pastaj zgjohem dhe s’ka asnjë qytet
në qytet. Asnjë, këtu, po atje. Dhe, jo atje,
po këtu. Po të mos ishte imazhi unë nuk do të isha nisur për te shtatë kodrat,
po të mos ishte imazhi

_________

Lexo po ashtu nga Mahmoud Darwish: 
– LETËRNJOFTIMI
– PASAPORTA
Exit mobile version