Imazhi i një shteti ka rëndësi si për pozitën që ai shtet gëzon në arenën ndërkombëtare, aftësinë për të realizuar interesa në politikën e jashtme, tërheqjen e investimeve të huaja, ashtu edhe për çështje të përditshme me të cilat ndeshen qytetarët e tij kur udhëtojnë jashtë, ose kanë çfarëdo kontakti me institucione të jashtme.
Imazhi i shtetit të Kosovës në botë nuk është i mirë. Studimet që lidhen me këtë temë argumentojnë se Kosova në fakt ka problem serioz me imazhin e saj. Për ta bërë situatën më të pafavorshme, edhe imazhi i “shqiptarit” nuk është i mirë. Një shqiptar tipik portretizohet si anëtar i ndonjë klani familjar në botën e krimit të organizuar, trafikant droge e qeniesh njerëzore, vrasës brutal apo hakmarrës i motivuar. Përveç problemeve të zakonshme me imazhin, në rastin e Kosovës ekziston një vështirësi shtesë për shkak se imazhi i Kosovës nuk është plotësisht i veçuar nga ai i shqiptarëve si popull dhe nga ai Shqipërisë, si shtet fqinj. Për shkak se si Kosova ashtu edhe Shqipëria banohen nga popullsi shumicë shqiptare, të dyja vendet vuajnë pasojat negative të veprimeve jo të mira të shqiptarëve jashtë vendit, qofshin ata nga Shqipëria apo Kosova.
Krijimit të këtij imazhi negativ, përveç përfshirjes së bashkatdhetarëve tanë në veprime të tilla, i ka kontribuar edhe prirja e kinematografisë botërore për të na paraqitur si të tillë, mjafton të kujtojmë filmin “Taken”, por edhe lehtësia me të cilën në publikime të ndryshme në Evropë e botë shqiptarët vlerësohen si ‘më të rrezikshmit’ e botës së krimit të organizuar, edhe pse statistikat zyrtare tregojnë një realitet më ndryshe.
Të njëjtin efekt negativ është duke e shpërndarë edhe seriali amerikan “Nikita”, në të cilin një agjent i CIA-s e vret zëvendëskryeministrin e Kosovës, i cili është i përfshirë në krime.
Kur është në pyetje imazhi i shtetit të Kosovës, na dalin dy probleme të mëdha. Së pari shteti i Kosovës është relativisht i panjohur për publikun ndërkombëtar. Së dyti ata që e kanë idenë për shtetin e Kosovës, këtë e kanë të shoqëruar me idenë se Kosova është shtet ballkanik i dalë nga një konflikt ndëretnik, jostabil në planin politik, ku lulëzon korrupsioni dhe krimi i organizuar. Shumica e qytetarëve të huaj që udhëtojnë për herë të parë në Kosovë, vijnë me frikën se po shkojnë në një vend të rrezikshëm. Disa nga ata që kanë udhëtuar për në Kosovë në vizita të organizuara nga ndonjë institucion vendor, iu kanë shprehur organizatorëve kërkesën e tyre për mbrojtje nga polica gjatë gjithë kohës sa do të jenë në Kosovë. Të gjithë janë befasuar, kur kanë ardhur në Kosovë dhe kanë kuptuar se ndodhen në një ambient më të sigurt sesa në shumicën e vendeve evropiane. Befasi tjera të mira përfshijnë banorët lokalë shumë mikpritës apo qasjen në internet wireless falas në kafiteritë e Prishtinës.
Kjo situatë e pafavorshme me imazhin tonë duhet, dhe mund të përmirësohet. Nuk është e zezë gjithçka që lidhet me imazhin e Kosovës, ai ka edhe plot anë pozitive të cilat duhet të përdoren. Përgjegjësia bie mbi institucionet shtetërore përgjegjëse për menaxhimin e imazhit të Kosovës jashtë, siç është MPJ-ja dhe institucione tjera, mbi njerëzit nga bota e shoqërisë civile, akademisë e biznesit, por edhe mbi qytetarët e zakonshëm, të cilët duhet vetëdijesuar dhe zhvilluar shkathtësitë e tyre për të kontribuar në përmirësimin e imazhit të vendit përmes diplomacisë qytetare. Në këtë situatë duhet gjithashtu të përcaktohet së në çfarë raporti do të vendoset imazhi i projektuar i Kosovës, në raport me atë të Shqipërisë, dhe në raport me imazhin ekzistues të “shqiptarit”.
Për të zhvilluar një imazh pozitiv për Kosovën dhe qytetarët e saj, së pari duhet angazhuar për ta bërë atë gjerësisht të njohur tek opinioni publik ndërkombëtar. Dhe pastaj për ta lidhur atë njohuri me përshtypje, opinione, qëndrime e ndjenja pozitive karshi nesh. Një diçka e tillë do të mund të realizohej duke filluar së pari me përmirësime ‘brenda shtëpisë‘ në Kosovës dhe tek diaspora jonë. Masandej duhet të krijojmë mekanizma përkatës nga diplomacia publike që këto ndryshime pozitive në Kosovë dhe në sjelljen e bashkatdhetarëve tanë jashtë, të bëhen gjerësisht të njohura për opinionin publik ndërkombëtar.
Përfitues nga diçka e tillë do të ishim të gjithë, pozita e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare do të përmirësohej, suksesi në procesin e rritjes së numrit të njohjeve formale të pavarësisë dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare do të rritej. Njerëzit tanë që jetojnë e udhëtojnë jashtë do të gëzonin privilegjet e zakonshme si qytetarët e vendeve tjera. Përmirësimi i imazhit si rezultat i përmirësimeve reale në Kosovë, padyshim që do të lehtësonte shumë procesin e integrimeve evropiane të Kosovës, përfshirë procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin po flasim shumë e po punojmë pak.