Site icon Telegrafi

Imazhi i babait sirian dhe të birit pa gjymtyrë, shpallet fotografia e vitit – fotografi turk flet për momentin e shkrepjes

Munzir Al-Nazzal po ecte nëpër tregun e Idlibit në pjesën veriperëndimore të Sirisë, kur një bombë shpërtheu.

Si rezultat i kësaj ai humbi këmbën e djathtë. Sikur kjo të mos mjaftonte, djali i tij lindi pa këmbë, transmeton Telegrafi.

Gruaja e Al-Nazzal, Zeinab, ishte shtatzënë me Mustafan kur u helmua me gaz nervor gjatë luftës civile në Siri. E kjo bëri që i biri i saj të lind me probleme shëndetësore – përkatësisht sindromën tetra-amelia.

Ai erdhi në jetë pa këmbë, e pasi u larguan nga Siria arritën të strehohen në Reyhanli të provincës turke Hatay, përgjatë vijës kufitare me Sirinë.

Atje u takuan me fotografin turk Mehmet Aslan i cili u bëri shoqëri. Në atë moment ai shkrepi një fotografi, ku babë e bir dukeshin të lumtur që i shpëtuan luftës.

Kjo fotografi tani është përzgjedhur si fotografia e vitit nga Siena International Photo Awards 2021.

“Kurrë nuk kam besuar që kjo fotografi do të fitonte kaq shumë vëmendje. Por asokohe ajo tregonte momente lumturie të babait me të birin që i kishin shpëtuar luftës”, tha autori i fotografisë. /Telegrafi/

Exit mobile version