Koreja e Veriut pothuajse ka përfunduar ndërtimin e një objekti gjigant për të mbajtur raketa bërthamore, të afta për të arritur Shtetet e Bashkuara, sipas një analize të re të fotografive satelitore.
Sipas Business Insider, përcjell Telegrafi, objekti “është i lidhur pothuajse tërësisht me programin e raketave balistike në Korenë e Veriut”, sipas analizës nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare – CSIS, një qendër mendimi me qendër në Uashington.
Një ndërtesë brenda objektit “është mjaft e madhe për të akomoduar një raketë balistike ndërkontinentale Hwasong-15 dhe, për rrjedhojë, tërësinë e varianteve të njohura të raketave balistike të Koresë së Veriut”, thuhet në raport.
CSIS sugjeron se objekti ndodhet 11 milje në veri-perëndim të Pyongyang dhe përmban një strukturë ruajtjeje nëntokësore aq të madhe sa të strehojë të gjitha raketat balistike të njohura të Koresë së Veriut, si dhe automjetet e tyre mbështetëse. Ekzistenca e saj nuk ishte zbuluar më parë.
Ai gjithashtu përmban një terminal hekurudhor të mbuluar “jashtëzakonisht të madh”, i cili mund të përdoret për transportimin e raketave dhe pajisjeve mbështetëse, dhe ndërlidhjen e ndërtesave të krijuara për qasje me makinë, thuhet në raport.
Vendi është gjithashtu relativisht afër fabrikave prodhuese të komponentëve balistikë afër Pyongyang.
“Marrë si një e tërë, këto karakteristika sugjerojnë që ky objekt ka të ngjarë të jetë i dizajnuar për të mbështetur operacionet e raketave balistike dhe për përkohësisht është identifikuar si Objekti i Mbështetjes së Raketave Balistike Sil-li (신리)”, tha Joseph Bermudez, autori i raportit.
“Si i tillë, është një komponent tjetër i infrastrukturës raketore balistike të Koresë së Veriut që ka kaluar në modernizim dhe zgjerim gjatë 10 viteve të fundit”.
Ndryshe, sipas BI, përcjell Telegrafi, Koreja e Veriut debutoi me raketën më të fuqishme balistike, Hwasong-15, në vitin 2017, për të cilën ekspertët thonë se mund të arrijë “çdo pjesë të Shteteve të Bashkuara”.
Donald Trump që nga ajo kohë është takuar me Kim Jong Un në tre raste kur u përpoq të ndërmjetësojë një marrëveshje të krijuar për të ndaluar programin e raketave bërthamore të Koresë së Veriut.
Por bisedimet midis dy fuqive “u prishën” në shkurt të vitit të kaluar në një samit në Hanoi, Vietnam. /Telegrafi/