Imazhet e publikuara më poshtë tregojnë më së miri se sa gjakftohtë ishte sulmuesit i djeshëm në Las Vegas, i cili konsiderohet si njeriu që kreu vrasjen masive më të madhe në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Sulmuesi i identifikuar si Stephen Paddock 64-vjeç, kishte shkrepur qindra plumba në drejtim të 32 mijë civilëve që ishin mbledhur për ta ndjekur nga afër festivalin e muzikës country. Ai këto të shtëna i kishte realizuar nga kati i 32-të i hotelit Mandaly Bay, transmeton Telegrafi.
Si rezultat i këtij sulmi të tmerrshëm, kanë humbur jetën të paktën 59 persona derisa mbi 500 tjerë janë plagosur.
Fotografitë e shkrepura disa orë pas të shtënave shfaqin njolla gjaku nëpër tokë dhe rroba të shqyera nëpër mjete të mprehta.
Pjesëtarë të shumtë të FBI-së janë parë duke analizuar në detaje skenën e krimit që shokoi Shtetet e Bashkuara. Ndërsa në momentin më kritik turma ishte mbledhur për ta dëgjuar këngëtarin Jason Aldean, i cili në ato momente ishte ngritur në skenë për të performuar.
Paddock, një kontabilist i pensionuar, kishte kryer vetëvrasje kur policia theu derën e dhomës së hotelit. Ndërkaq, policia ende nuk ka arritur të zbuloi motivin e vërtetë që qoi në këtë vrasje masive.
Sipas vëllait të sulmuesit Eric, Stephen “ishte i pasur dhe i pëlqente të luante poker dhe të shëtitet nëpër botë me anije luksoze”.
“Vëllai im dallonte shumë nga të tjerët. I pëlqente të investonte shuma të mëdha të parave në poker. Ai së fundmi më kishte dërguar një mesazh për të më treguar se kishte fituar 250 mijë dollarë në kazino”, ka shtuar Eric.
Paddock dukej se bënte një jetë normale, ai dy vite më parë kishte blerë një shtëpi në periferi të Nevadës, që për disa orë vozitje mund të mbërrinte në kazinotë e Las Vegasit. /Telegrafi/