Brazili është duke u përgatitur për skenarin më të keq të mundshëm, si pasojë e përhapjes së coronavirusit, megjithëse në këtë shtet deri më tani kanë vdekur 359 persona, derisa 9,082 janë të infektuar.
Përhapja e madhe e pandemisë në Amerikën e Jugut, ka bërë që të urdhërohen varrmihësit të hapin qindra varre, në varrezën me 780 metra katrorë, ku deri më tani janë 1.5 milion të varrosur, transmeton Telegrafi.
Oswaldo dos Santos ka shikuar disa punonjës të veshur me uniforma speciale, derisa i varrosnin disa të vdekur në Cemiterio de Vila Fermosa, që është varreza më e madhe në Amerikën Latine.
I moshuari shikonte me dhembshuri, derisa po hapej varri për të birin e tij 36-vjeçar, që nuk mundi t’i mbijetonte infeksionit. “Mendoj se ishte i sëmurë, kishte disa simptoma, por vdiq ende pa i dalë rezultatet”, ka thënë Santos.
Ky është problemi më i madh në Brazil, ku konsiderohet se shumë njerëz janë të infektuar dhe nuk kanë ende një diagnozë, ndërsa janë duke i infektuar njerëzit tjerë.
Dendësia e popullsisë si dhe mungesa e kujdesit të duhur, konsiderohet se do të jenë shkaktarët e përhapjes më të madhe të pandemisë, që do të ketë si pasojë vdekjen e shumë personave.
Në imazhet rrëqethëse që janë realizuar nga lartë, shihen shumë varre të hapura, ndërsa presin që të mbushen me viktimat e ardhshme. /Telegrafi/