Në qytetin zviceran Gjenevë janë parë gjatë vikendit të kaluar kolona kilometërshe të qytetarëve, që prisnin për të marrë pakon me mish dhe pemë e perime falas.
Mijëra qytetarëve kanë pritur në radhë për të marrë pakon më ushqim falas në Gjenevë, që konsiderohet si një nga qytetet më të pasura në botë, transmeton Telegrafi.
Në Zvicër, vend ky me standardin më të lartë të jetës, qytetarët kanë qëndruar në këmbë duke pritur në kolona kilometërshe, që është një tregues i qartë se izolimi për shkak të pandemisë së coronavirusit ka pasur ndikim tejet negativ në standardin e atyre që ishin më të varfër se një qytetar i rëndomtë i këtij qyteti.
“Në fund të muajit xhepat i kam të zbrazët. Më duhet të paguaj faturat, sigurimin, të gjitha… Ky ushqim falas do të thotë shumë për mua, ka mjaftueshëm sa për të ngrënë tërë javën. Por, nuk e di se çfarë do të bëjmë më pas”, ka deklaruar për Reuters, Ingrid Berala, banore e Gjenevës.
Problemi i parave ka ardhur në Gjenevë pas mbylljes së marketeve, restoranteve nga pandemia e coronavirusit, që deri më tani ua ka marrë jetën 1,800 personave.
“Restorantet marrin ndihma, por unë jo. Nuk po kam çfarë të ha. Virusi ka shkatërruar gjithçka. Nuk ka më punë, asgjë”, ka deklaruar për AFP, Miguel Martinez, i ardhur nga Kolumbia që punon në një restorant dhe që nuk është i regjistruar te autoritetet kompetente.
Kujtojmë që Zvicra është shteti me standardin më të mirë të jetesës në botë, ku paga mesatare në Gjenevë sillet nga 5.600 franga zvicerane (5.323 euro). Megjithatë, ky qytetet ku 18 për qind e banorëve janë milionerë, ka edhe çmime shumë të larta dhe konsiderohet si një nga qytetet më të shtrenjta në botë.
Patrick Villand, shef i misionit Mjekët pa Kufij, thotë se hulumtimet tregojnë se gjysma e atyre që i marrin ato pako janë emigrantë pa letra, por pranoi se ka edhe prej atyre që janë zviceranë.
“Gjeneva është një nga qytetet më të pasura në botë, por në të gjithmonë ka pasur njerëz që kanë jetuar në kushte të vështira. Janë punëtorët sezonalë, pastruesit, ndërtuesit… Të gjithë ata brenda natës kanë mbetur pa punë”, shtoi Villand për Reuters. /Telegrafi/