Izraeli po ndërton baza ushtarake në “zonën tampon” të çmilitarizuar me Sirinë, sipas imazheve satelitore të parë nga njësia e verifikimit Sanad e Al Jazeera.
Sipas mediumit në fjalë, përcjell Telegrafi, imazhet janë marrë midis 19 dhjetorit 2024, vetëm 11 ditë pasi presidenti i rrëzuar i Sirisë Bashar Al-Assad u arratis në Moskë dhe 1 shkurt 2025.
Ato tregojnë gjashtë vende të ndërtuara në atë kohë brenda “zonës tampon”. Një tjetër po ndërtohet jashtë zonës dhe brenda territorit sirian.
Sanad gjeti gjithashtu punime për ndërtimin e rrugëve në kantiere.
Shtatë vendet janë të vendosura në perëndim të fshatit Hadar, në perëndim të Jabata al-Khashab, në veri të al-Hamidyah, fshatit Quneitra, në jug të liqenit Aziz (dy vende) dhe mbi Tal al-Ahmar.
Izraeli dhe Siria arritën një marrëveshje armëpushimi në vitin 1974 që përcaktonte se zona, në Lartësitë Golan, do të ishte një “zonë tampon” e çmilitarizuar.
Por menjëherë pasi dolën lajmet se regjimi i al-Asadit kishte rënë pas më shumë se 50 vjet sundimi dinastik, ushtria izraelite filloi të lëvizte brenda zonës dhe hyri në territorin sirian që shtrihet jashtë saj.
Kjo ndodhi pavarësisht se presidenti i ri në tranzicion i Sirisë, Ahmed al-Sharaa e bëri të qartë se administrata e tij e re do të njihte marrëveshjen e vitit 1974 me Izraelin.
“Gjendja e lodhshme nga lufta e Sirisë, pas vitesh konflikti dhe lufte, nuk lejon konfrontime të reja”, tha ai më 14 dhjetor 2024. “Prioriteti në këtë fazë është rindërtimi dhe stabiliteti, duke mos shkuar drejt mosmarrëveshjeve që mund të çojnë në shkatërrim të mëtejshëm”.
Megjithatë, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se marrëveshja e vitit 1974 u arrit me një regjim të rrëzuar dhe për këtë arsye është e pavlefshme.
Qytetarët sirianë në dhe pranë zonës së çmilitarizuar janë ankuar për shkeljen izraelite në tokën e tyre, si dhe për pika kontrolli, arrestime të paautorizuara, bastisje banesash dhe mbyllje rrugësh.
Ushtria izraelite pretendon se po vepron për të eliminuar kërcënimet kundër qytetarëve të saj.
Izraeli fillimisht deklaroi se inkursionet do të ishin të përkohshme, por ndërtimi i bazave e vë këtë pretendim në pikëpyetje, thekson Al Jazeera. /Telegrafi/