Patrullat e policisë kufitare kanë hedhur gaz lotsjellës dhe plumba goma, në drejtim të një grupi emigrantësh të dhunshëm të cilët po mundoheshin të kalonin ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë.
Mediat amerikane raportojnë se agjentët amerikanë janë munduar t’i zmbrapsin emigrantët që vinin nga Amerika Qendrore, transmeton Telegrafi.
Megjithatë autoritet kanë arritur ta marrin nën kontroll situatën, pasi që të dielën turma u mundua të hapë një vrimë në murin mbrojtës të mbuluar me tela gjembor në anën e Meksikës.
Por situata u tensionua kur zyrtarët amerikanë paralajmëruan se do të mbyllin përkohësisht pikëkalimin mes Tijuana dhe San Diegos, duke bërë kështu që mijëra qytetarët që rrugëve legjitime udhëtonin nga SHBA në Meksikë të mbesin në “tokën e askujt”.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, ka paralajmëruar se do të ketë ndëshkime të rënda për të gjithë ata “që shkatërrojnë pronën federale, apo rrezikojnë jetën e zyrtarëve shtetërorë që mundohen të mbrojnë sovranitetin e vendit”.
Nielsen gjithashtu akuzoi disa persona të karvanit të emigrantëve të cilët kanë qenë të rrezikshëm, dhe në asnjë mënyrë nuk i janë përmbajtur rregullave paqësore për të kërkuar azil në SHBA, madje kanë hedhur gurë në drejtim të patrullave të policisë kufitare.
Edhe autoritetet meksikane kanë njoftuar se kanë deportuar afro 500 emigrantë të cilët në mënyrë të dhunshme dhe ilegalisht janë munduar të kalojnë kufirin në SHBA.
Në një deklaratë të lëshuar nga autoritetet meksikane thuhet se kanë ndjekur nga afër protestën e organizuar mes Tijuanas dhe San Diegos. Megjithatë janë zotuar se nuk do të dërgojnë forca ushtarake për të kontrolluar karvanin prej 7,417 emigrantëve, që ia kanë mësy vijës kufitare SHBA-Meksikë. /Telegrafi/