Site icon Telegrafi

Imazh i mirë i Kosovës i pasqyruar nëpërmjet kulturës

Sukseset e shumë individëve nga Kosova shpeshherë kanë bërë që kosovarët të mburren e të ndihen mirë me këto arritje. Për rubrikën e përjavshme ‘’Fokus’’ të Radios Evropa e Lirë, është bërë një përmbledhje në lidhje me atë se sa ka ndikuar pozitivisht suksesi i kosovarëve jashtë shtetit në imazhin e Kosovës.

Filmi me titullin “Shok”, i nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar”,të cilin e ndan Akademia e Filmit, Pikturës, Arteve dhe Shkencave në Hollywood, pavarësisht se nuk u kurorëzua me këtë çmim, ai përcolli një mesazh mjaft pozitiv nga dhe për Kosovën, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të artistëve të filmit në vend.

Filmi “Shok”, me regji dhe skenar të regjisorit britanik Jamie Donoughue, i luajtur nga aktorë kosovarë, i xhiruar në Kosovë, është filmi i parë i cili e përfaqëson kinematografinë e vendit për çmimin “Oscar”.

Regjisorët në vend kanë thënë se prania e filmit “Shok” në një festë të filmit siç është ndarja e çmimit “Oscar”, ka rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën, në shumë aspekte.

Regjisori Isa Qosja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron se prezenca e filmit “Shok” në një festë të filmit, siç është ndarja e çmimit Oscar, ka rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën.

“Kosova është ‘klikuar’ me qindra herë, pikërisht për atë që është promovuar ideja që një film nga Kosova flet për Kosovën dhe sjell vlera artistike. Jam i bindur që e kanë shikuar me mjaft xhelozi këtë prani të Kosovës në atë seleksionim të ngushtë. E kjo do të ishte dashur që të çonte një porosi për të gjithë ne dhe të theksonte kërkesën për t’u angazhuar në kulturë, sepse e keni parë që për disa ditë Kosova ka qenë në fokus nëpërmjet kësaj, nëpërmjet kulturës”, thotë ai.

Regjisori Qosja, thekson se, marrë në përgjithësi, nominimi i filmit “Shok” për çmimin Oscar, pavarësisht se filmi nuk e mori këtë çmim, ka krijuar eufori, por edhe energji pozitive në vend.

Aktori Armond Morina, i cili ka luajtur në filmin “Shok”, thotë që edhe pse në Kosovë mungon përkrahja e duhur institucionale, artistët kosovarë janë në nivel të njëjtë me ata ndërkombëtarë, për vetë faktin që edhe u nominuan për çmimin prestigjioz “Oscar’’.

“Në arenën ndërkombëtare, impaktin më të madh për vendin e ka dhënë sporti dhe ngjarjet kulturore. Ndonëse asnjë Qeveri nuk e ka pasur prioritet investimin në kulturë, po e vërejmë dita-ditës se me përkujdesje kaq të vogël institucionale, është kthimi më i madh që po i bëhet vendit. Me vetë faktin që institucionet kanë filluar me e mbështetë Qendrën Kinematografike, ndonëse simbolikisht, impakti po shihet që është i madh. Artistët deri tash kanë punuar me entuziazëm. Ne paguhemi pak, sidomos nëse krahasohemi me artistë në rajon, e të mos flasim për më larg. Por, po shihet që jemi në nivel ndërkombëtar, në nivel paralel me atë çka po ndodh në botë, pasi jemi nominuar për ‘Oscar’. Megjithatë, mbështetja institucionale nuk është e kënaqshme”, vlerëson Morina.

Artistë me prejardhje nga Kosova shpeshherë kanë triumfuar me paraqitjet e tyre në botë.

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, vazhdimisht e përmend Kosovën nëpër intervistat e saj, dhe rolin e saj si Ambasadore nderi e Kosovës, e përmbushë në maksimum.

Këtë e ka dëshmuar edhe me realizimin e videokilipit të saj “Shine your light” në Prishtinë.

Përveç Rita Orës, një emër tjetër i ri në fushën e muzikës, e që dita-ditës po zë vend më shumë në mediet botërore, është Dua Lipa. Së fundmi ajo ka performuar në “BBC Music Sound of 2016”.

Exit mobile version