Në një ngjarje të shënuar dhe shumë të pritur, “Cineplexx Kosova” ka hapur dy sallat e reja IMAX në Albi Mall, një hap që do të transformojë përjetimin e filmave në Kosovë.
Teknologjia IMAX, e njohur për cilësinë e jashtëzakonshme të pamjes dhe tingullit, ka përfunduar një periudhë pritjeje dhe tashmë është në dispozicion për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë filma në një eksperiencë kinematografike të pakrahasueshme.
Telegrafi ishte i pranishëm në këtë ngjarje dhe sjell për lexuesit pamjet ekskluzive nga brenda sallave të reja, duke ofruar një pasqyrë të detajuar për këtë arritje të madhe.
Përfaqësuesi i “Albi Group”, Betim Humolli, i cili ka luajtur një rol kyç në realizimin e këtij projekti, shprehu kënaqësinë dhe krenarinë për këtë hap të madh në industrinë kinematografike të Kosovës: “Jemi shumë të lumtur që sot po ndajmë një moment shumë të rëndësishëm me ju, pra ardhjen e IMAX-it në kuadër të Cineplexx-it në Albimall. Ky është një projekt që ka ndikuar në një ndryshim të madh në mënyrën se si do të shijojmë kinemanë në vendin tonë. Vlen të theksohet se ky ekskluzivitet është i mundur vetëm në Albimall, dhe kjo është një teknologji tjetër, një nivel tjetër për sa i përket kinematografisë”.
“Ky është një realizim i ëndrrës për të sjellë teknologjinë më të avancuar të kinemasë në Kosovë, që ofron një përvojë të papërsëritshme për të gjithë adhuruesit e filmave. Ne kemi një bashkëpunim afatgjatë me Cineplexx-in që nga viti 2016, kur e sollëm për herë të parë në Albimall dhe në Kosovë multipleksin e parë të kinemave. Ky investim tejkalon vlerën prej rreth pesë milionë eurosh dhe përbëhet nga dy sallat, duke përfshirë sallën IMAX, e cila është një nga më të avancuarat në rajon”, tha Humolli.
© Video: Blendi Aligjiku/Telegrafi
Ndërkohë, përfaqësuesi i Cineplexx, Lucas Langhammer, e vlerësoi këtë ngjarje si një moment të veçantë dhe një eksperiencë kinematografike që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Ai theksoi se përvoja që ofron IMAX është një përvojë e jashtëzakonshme që nuk mund të përjetohet në asnjë sallë tjetër kinemaje: “Nuk kam çfarë t’ju shtoj më shumë sesa ajo që ne sapo pamë dhe unë e rregullova vetë. Ju siguroj që është eksperienca kinematografike më e mira që mund të përjetoni ndonjëherë. Si një person që jam rritur në kinema, sinqerisht nuk ka eksperiencë më të mirë, më të fuqishme, sesa ajo që ofron IMAX. Çdo detaj, çdo pamje dhe çdo tingull janë të perfekta, dhe kjo është ajo që i bën filmat më emocionues dhe më të paharrueshëm”.
Përfaqësuesi i IMAX, Julien Tranchant, ka përmendur se ajo që e bën IMAX të veçantë është jo vetëm teknologjia e saj superiore e shfaqjes, por edhe fakti që IMAX prodhon filma, duke i dhënë mundësi për një përvojë tërësisht të ndryshme dhe më të pasur: “Ai që e bën IMAX të veçantë është jo vetëm mundësia për të shfaqur filma, por edhe prodhimi i filmave”.
© Video: Blendi Aligjiku/Telegrafi
“Kjo është ajo që na bën të veçantë dhe që ka bërë që IMAX të ketë fanë në çdo cep të botës. Ne jemi shumë krenarë që po hapim këtë kinema këtu në Kosovë, me qëllim që ta sjellim eksperiencën IMAX sa më afër audiencës. Në vende të tjera, siç është rasti në Greqi, njerëzit kanë udhëtuar për orë të tëra vetëm për të përjetuar këtë magji të filmave që ofron IMAX”, tha Tranchant.
Ky hap i madh vjen pas një periudhe të gjatë zhvillimi dhe investimi të rëndësishëm, dhe tashmë publiku kosovar ka mundësinë të shijojë shfaqje të filmave më të fundit dhe më të njohur në një format që është ndër më të mirët në botë. Me dy sallat e reja, “Cineplexx Kosova” në Albi Mall jo vetëm që ofron mundësinë për të parë filma në IMAX, por gjithashtu krijon një ambient luksoz dhe premium për adhuruesit e filmit.
Me hapjen e dy sallave të reja, tani të gjithë ata që kërkojnë një eksperiencë kinematografike të nivelit të lartë mund ta gjejnë atë në “Cineplexx Kosova”.
Të dy sallat janë tashmë të hapura për publikun, dhe ky është vetëm fillimi i një epoke të re për industrinë e kinemasë në Kosovë. /Telegrafi/
Më shumë fotografi nga promovimi i IMAX në ‘Cineplexx Kosova’: