Imami i një prej xhamive në Prishtinë, Labinot Maliqi, ka pritur të premten ushtarakë amerikanë nga kampi Bondsteeel, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR në Kosovë.
Maliqi ka thënë se është ndjerë i privilegjuar dhe në të njëjtën kohë mirënjohës për vizitën e ushtarakëve amerikanë.
“Dje, pata nderin dhe privilegjin të mirëpres në xhaminë tonë miqtë tanë nga Kampi i Ushtrisë Amerikane në Bondsteel, Kapelanin Major Leslie, Kapelanin Major Hatfield, Major Nigrelle, SGT Sheridan, SFC Smith — KFOR-32”, ka shkruar imami Maliqi në një postim në Facebook, përcjell Telegrafi.
“Ne së bashku patëm një takim të gjatë, bisedë të ngrohtë e të dobishme, dhe diskutuam për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme. E falënderoj Zotin që i kemi”, ka shkruar ai. /Telegrafi/