Site icon Telegrafi

Imami Maliqi njofton se do të rifillojë mësimin nxënësja nga Peja që u largua për shkak të mbulesës

Labinot Maliqi, imam në njërën prej xhamive të Prishtinës, ka njoftuar se nxënësja A.D do të rikthehet për të ndjekuar mësimin në Gjimnazin “Bedri Pejani”.

Nxënësja A.D nuk ishte lejuar të ndjek mësimet për shkak të mbulesës, mirëpo kjo situatë tashmë është zgjidhur sipas imamit Maliqi, transmeton Telegrafi.

“Në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, sot u zgjidh një situatë ku një vajzë në Pejë ishte privuar nga e drejta e saj për arsim për shkak të mbulesës. Duke filluar nga e hëna, nxënësja A.D. do të rifillojë mësimin në Gjimnazin “Bedri Pejani”, së bashku me të gjitha vajzat e tjera me mbulesë, të cilave u është mohuar kjo e drejtë për një periudhë të gjatë kohore”, ka pohuar imami përmes një postimi në Facebook.

Tutje, ai ka shprehur mirënjohje ndaj Ministrisë së Arsimit për këtë vendim, që sips tij është i drejtë dhe i shpejtë.

“Ky bashkëpunim i yni me institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdoj deri në ndryshim substancial ose anulim të plotë të ndalesës së Udhëzimit Administrativ, i cili që nga dita e nënshkrimit u keqinterpretua dhe u keqpërdor për privimin nga arsimimi i dhjetëra vajzave në Kosovë.
Shpresojmë që ky të jetë rasti i fundit i këtij lloji, dhe u bëj thirrje deputetëve që të mos e shfrytëzojnë këtë dhe raste të ngjashme për përfitime elektorale”, thotë ai.

Tutje ai ka ftuar përfaqësueset institucionale dhe organizatat joqeveritare të angazhohen më shumë në këtë fushë, pasi reagimi i tyre ka munguar thuajse tërësisht në këtë dhe raste të tjera të ngjashme.

Ndyrshe, vajza me inicialet A.D ishte larguar nga autoritet e shkollës më 2 shtator. Largimi i saj nga mësimi kishte nxitur shumë reagime, ndërsa nga Prokuroria Themelore e Pejës kishin njoftuar se janë duke hetuar nëse ky veprim përmban ose jo elemente të veprës penale: shkelje e të drejtave të njeriut./Telegrafi/

Exit mobile version