Telegrafi

Imami kosovar kërkon që komunat të ndriçohen jo vetëm për festat e fundvitit por edhe për Bajram

Imami Labinot Maliqi ka bërë një kërkesë publike te kryetarët e komunave që kryeqendrat të ndriçohen edhe për festën e Bajramit, sikurse po bëhet për ato të fundvitit.

Këtë kërkesë Maliqi e bëri përmes një reagimi në facebook, duke besuar që realizimi i së njëjtës nuk do të dëmtonte laicitetin e shtetit.

”Meqë ndriçimi i kryeqytetit për festat fetare të fundvitit nuk po e dëmtuaka laicitetin e shtetit, kërkoj nga kryetarët e komunave që edhe për festat tona, siç janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, të ndriçohen kryeqendrat tona çdo vit”, shkruan ai.

Imami Labinot Maliqi është hoxhë goxha i popullarizuar për reagimet e tij të shumta, por dhe se iu mbante ligjërata dhe lutje refugjatëve afganë në kampin Bondsteel.

Kujtojmë që dekorimi i qyteteve bëhet që para Krishtlindjes katolike dhe të tilla qëndrojnë deri pas asaj ortodokse, diku deri më 10 janar.