Bashkë me imamin, RTK ka kuptuar se janë arrestuar edhe Dardan Keqeli (23 vjeç) e Kastriot Halimi (22)
Policia thotë se të gjithë janë të dyshuar për një vepra penale që lidhen me terrorizmin.
Këto arrestime janë kryer një javë nga dita kur 17-vjeçari Lirim Robelli nga i njëjti fshat, u arrestua derisa po tentonte të shkonte drejt Sirisë për të luftuar krah ISIS-it.
Azemine Robelli, nëna e adoleshentit të arrestuar, deklaron se djali i saj nuk kishte marrë para e nuk ishte ndihmuar që të marrë këtë rrugë. Për krejt çfarë i ka ndodhur të birit, ajo hedh dyshime mbi hoxhën Hajrullah Aliu.
Takimin e 17-vjeçarit me imamin e fshatit e konfirmon edhe kryetari i fshatit.
“Ditën kritike kur Lirimi është largu nga fshati dhe e ka marrë atë rrugë, paraprakisht është taku në xhami me imamin”, ka theksuar Shefik Surdulli, kryetar i fshatit Verbicë.
Ndërkohë, në Këshillin Bashkësisë Islame në Gjilan deklarojnë se nuk bëhen organizime terroriste në xhamitë e tyre, por nuk garantojnë asgjë për veprimet e imamëve.
Gjilani është njëri nga rajonet në të cilin janë kryer më së shumti arrestime për dyshime të tilla.