Site icon Telegrafi

Iljazi: Niko Beqarovski është mjek nga koha e “shokut Tito”, ka ikur koha e tij

Drejtoresha organizative e Klinikës së Toksikologjisë, Besia Iljazi, ka nxjerrë urdhër, përmes së cilit mjekëve dhe infermierëve u ndalohet të bëjnë deklarata për media pa pëlqimin e drejtorisë.

Sipas nenit 30 të Statutit të Klinikës, Besia Iljazi tha se ky urdhër është bërë për të mbrojtur imazhin e gjithë Klinikës dhe për të mos lejuar që grupe të caktuara të interesit të shpifin për funksionimin e ndershëm të mjekëve.

“Nga ana e disa mjekëve, që nuk janë më shumë se pesë apo gjashtë, që shpërndajnë gënjeshtra në media dhe që janë të njohur në publik për skandale, inskenime dhe dezinformata dhe quhen mjekë në Facebook sepse kalojnë gjithë ditën në kohën e punës në mediat sociale dhe duke mos bërë asgjë. Koha e Niko Beqarovskit, mjekut të kohës së “shokut TITO” ka kaluar dhe ai nuk mund të pajtohet me këtë realitet. Prandaj shpërndan vazhdimisht dezinformata që krijojnë konfuzion në opinion. Rendi i ri që vendosa e pengon atë dhe klanin e tij, të cilët janë mësuar të punojnë sipas zakoneve të tyre”, thotë Besia Iljazi, drejtoreshë organizative e Klinikës së Toksikologjisë.

Sipas urdhrit të saj, frekuentimi i paautorizuar, dhënia e deklaratave publike përmes intervistave dhe thirrja e konferencave për shtyp janë të ndaluara.

“Takim me gazetarë, media të tjera vetëm me njoftim paraprak të ushtruesit të detyrës drejtori organizativ. Mosrespektimi i këtij urdhri është subjekt i sanksioneve”, thuhet në urdhrin.

Kjo vjen një ditë pas vendimit të Besija Iljazit për dhënien e vendimeve për punë për 18 punëtorë të cilëve u ka skaduar kontrata në Departamentin e Toksikologjisë dhe një javë pasi ministri i Shëndetësisë ka shkarkuar drejtorin mjekësor Danil Petrovski i cili është në pushim vjetor./Telegrafi/

Exit mobile version