Të rinjtë tanë që jetojnë jashtë Kosovës vazhdojnë të vijnë këtu dhe të depërtojnë në tregun muzikor. Së fundi, ka debutuar edhe një emër i ri dhe ai është Ilir Etemi.
“Me ty”, titullohet kënga debutuese e Ilir Etemit, i cili jeton në Gjermani. Në këtë mënyrë, ai synon tregun muzikor në Kosovë dhe thotë se do të punojë shumë që t’ia dalë. Për këngën, ai ka bashkëpunuar me producentët e njohur, Zzap dhe Chriss.
Edhe pse ka pak ditë që është publikuar ky projekt, Iliri paralajmëroi edhe këngën e dytë.
Ky i ri në Gjermani merret me modelizëm. Ai kishte një kontratë me një kompani të njohur atje, për të cilën tregoi se e ka shkëputur.
Iliri tha se fillimisht ka dëshirë të arrijë të bëhet një emër i njohur në tregun tonë, e nuk anashkaloi se më vonë do të punojë edhe për tregun muzikor të huaj.
Këngëtari i ri paralajmëroi se do të sjellë edhe disa “covera” të këngëve të njohura botërore dhe kjo për të vënë në pah më shumë vokalin e tij.