Site icon Telegrafi

Ilir Tafa, rol në serialin më të shikuar në rajon

Komedia televizive boshnjake e cila që katër vjet vazhdon të mbetet më e shikuara në Kroaci, Bosnjë, Serbi e Maqedoni, “Lud, zbunjen, normalan” (I marri, i hutuari, normali), nga sezoni i pestë në fillim të vitit të ardhshëm, do të ketë edhe një fytyrë të re, atë të shqiptarit.

Autori dhe skenaristi Fedja Isovic tashmë gjithçka ka bërë gati. Para një jave ishte sërish në Prishtinë dhe zgjodhi aktorin për karakterin që i nevojitej në seri. Ndoqi edhe disa shfaqje, përfshirë edhe atë “Sonte jam vetëm”, ku aktori Tafa shfaqet në disa karaktere në komedi.

“Befasia ime është se do ta freskoj serinë me një personazh të ri, me qëllim që ta lidh shikuesin me ekranin. Kam përzgjedhur Ilir Tafën. Do të futet fytyra e re e shqiptarit, i cili do të luajë me: dialektin e vet, energjinë dhe do ta freskojë serinë”, tha Isoviq për RTK-në.

Sipas tij, është menduar aktori origjinal shqiptar i Kosovës, e jo rolin e shqiptarit ta luajë ndonjë aktor boshnjak. “Nuk kam dashur të futem në stereotipin që të luante ndonjë aktor boshnjak i cili vetëm do të zëvendësonte germën ll me l, por interesi është që të kemi aktorin e mirë origjinal shqiptar”, u shpreh skenaristi dhe autori Isoviq në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.

Komedia ku tashmë do të shfaqet edhe shqiptari si protagonist, trajton përplasjen e brezave, modernes dhe konservatores, mendësisë së brezit të vjetër si pak i “luajtur”, brezit të mesëm si “i hutuar” dhe atij të ri që në raport me kohën, duket normal. Ngjarja zhvillohet në një apartament në Sarajevë ku jetojnë tre brezat e familjes Fazlinovic. /Telegrafi/

Exit mobile version