Site icon Telegrafi

Ilir Meta do t’i rikthehet LSI-së

Foto: Arkiv

Ilir Meta do të rikthehet në Lëvizjen Socialiste për Integrim, por më 24 korrik 2022, pikërisht ditën kur zyrtarisht i mbaron dhe mandati për president.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi përmes një shkrimi në Facebook.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta falënderon kryetaren e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”, shkruan Blushi.

Ai thotë se Meta më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI-së.

“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, tha ai.

Zyrtarisht presidentit Ilir Meta i mbaron mandati më 24 korrik 2022. /Telegrafi/

Exit mobile version