Pasi tërhoqi dy ditë më parë dekretin për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, presidenti shqiptarë Ilir Meta doli në një konferencë për mediat mëngjesin e sotëm, për të dhënë arsyet e këtij vendimi.
Meta u shpreh se zgjedhjet nuk mund të jenë një ditë përçarje, sipas tij, Kushtetuta i jep të drejtën vetëm presidentit të caktojë datën e zgjedhjeve.
“Jam sot para jush për shfuqizimin e dekretit për datën 30 qershor për zgjedhjet lokalet. Presidenti i Republikës është i vetmi organ që mund të vendosi datën e zgjedhjeve. Kushtetuta përcakton se Presidenti përcakton datën e zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës, pa pasur një datë nga Presidenti, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen. Partitë politike të opozitës nuk janë regjistruar për zgjedhjet lokale. Zgjedhjet nuk mund të jetë një ditë përçarje. Kjo ka bërë që jeta politike parlamentare të pësojë një krizë përfaqësimi. Shqipëria po kalon edhe një krizë kushtetuese. Së fundmi edhe Gjykata e Lartë ka dalë jashtë funksioni”, tha Meta.
Ai këtë e quajti një akt historik të cilin e vulosi duke bërë me duar përpara kamerave të shumta simbolin e shqiponjës.
“Ftoj të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë. Jam i bindur për domosdoshmërinë e këtij akti historik, prandaj po e nënshkruaj këtë përpara jush”, tha ai, përpara se të nënshkruante vendimin.
Në anën tjetër, Partia Socialiste thotë se do të nisë të enjten procedurat e shkarkimit të Presidentit Meta, pas vendimit të tij për të shfuqizuar dekretin për caktimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali, tha në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS se vendimi i Presidentit ishte një akt burtal ndaj Kushtetutës. /BallkanWeb/Telegrafi/