Telegrafi

Ilir Deda i reagon presidentit Thaçi: “Korrigjimi i kufijve” nënkupton ndarje të Kosovës, dhe asgjë tjetër

Presidenti Thaçi pas një takimi që ka pasur sot me ish-kryeparlamentarin Nexhat Daci, ka thënë se ndarje e Kosovës do të jetë e papranueshme, por në dialog do të shtrohet korrigjimi i kufijve.

Për këtë deklaratë të Presidentit, ka reaguar deputeti i Alternativës, Ilir Deda.

“Nuk ka pas President në Kosovë që me aq (mendje)lehtësi dhe dëshirë i ka kontestuar kufijtë e shtetit të vet, e që me betimin e vet duhet ti mbrojë”, ka shkruar Deda në profilin e tij në Facebook.

Për deputetin opozitar “secili duhet ta ketë të qartë që “korrigjimi i kufijve” është eufemizëm për ndarje të Kosovës, dhe asgjë tjetër”.

Sipas Dedës, Kryetari i tanishëm i Kosovës po i përqafon planet e Millosheviqit për shkatërrimin e Kosovës.

“Mbyllja e syve para tmerrit që po e pret Kosovën, i bën të gjithë bashkëpjesëmarrës në shkatërrimin e shtetit tonë – sipas planeve të Millosheviqit të vdekur – që po i përqafon Kryetari i tanishëm i Kosovës”, përfundon shënimi i deputetit të Alternativës, Ilir Deda.

Ide për korrigjime të kufijve ka dhënë edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, partia e të cilit është në koalicion me Alternativën e Ilir Dedës./Telegrafi/