Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është prononcuar pas barazimit pa gola me Gjilanin ku ka folur rreth ndeshjes dhe stinorit vjeshtor në përgjithësi.
Ai ka thënë se barazimi ishte epilog real i këtij takimi, duke vlerësuar punën e deritanishme të lojtarëve të tij.
“Besoj që rezultati më i drejtë ishte barazimi. Është java e 33-të që mbaron që nga java e korrikut. Kemi të njëjtën paraqitje historike në Evropë. Kemi vetëm dy humbje, katër barazime e 12 fitore në këtë gjysmëstinor të kampionatit të Kosovës”.
Me gjithë ngarkesën që kemi pasur, me gjithë dëmtimet në këto 33 javë, kemi mbyllur një kampionat më mirë se ai i vjetshmi. Vjet në mos gaboj ishim me pikë të barabarta me pikë me Dritën. Sivjet jemi gjashtë pikë para. Sot na mungonte thuajse një formacion i tërë”.
“E them i tërë sepse edhe largimi i Rrahmanit, Korenicës dhe lëndimi i Emërllahut, kanë ardhur në kohën kur ne nuk mund të bënim merkato. Janë shumë lojtarë. Edhe pjesa tjetër e stolit ka punuar më mirë se vitin e kaluar. Kemi pasur djem relativisht të rinj në bankinë”, ka thënë fillimisht Daja.
Në fund ai foli edhe për afatin kalimtar, duke mos përjashtuar mundësinë e largimeve dhe disa transferimeve të reja.
“Si në çdo ekip, dinamika e merkatos i afron hyrjet dhe daljet. Do të jemi të kujdesshëm sepse kemi cilësi dhe sigurisht kemi kërkesa. Do të ulemi me presidentin dhe drejtuesit e klubit dhe do të vendosim bashkë me politikat e klubit”.
“Mund ta pasurojmë organikën por mund të kemi edhe dalje të 2-3 individëve që ndoshta nuk kanë gjetur hapësirat e duhura. Sidoqoftë, është fundviti dhe i uroj gjithë shqiptarët në të gjitha shtetet, një vit sa më i mbarë për vitin 2024. Vetëm shëndet dhe gjitha të mirat në familjet e tyre”, përfundoi Daja./Telegrafi/