Telegrafi

Ilir Daja pas fitores ndaj Malishevës: Ekipi di ta menaxhojë lojën, duhet të jemi më cinik

Foto nga arkivi

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ndihet i kënaqur me fitoren ndaj Malishevës, por thotë se ekipi duhet të jetë me cinik në përfundimin e aksioneve.

Ballkani ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Malishevës në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të në Albi Mall Superliga e Kosovës.

Kjo fitore e ka bërë pjesërisht të lumtur trajnerin e vendasve, Daja, i cili megjithatë kërkon më shumë nga skuadra e tij.

“Ne duhet të jemi cinik me këtë ngarkesë që kemi, me pak ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjet. Kishim në dispozicion vetëm të shtunën dhe do t’i kemi këto telashe edhe në të ardhmen”, ka thënë fillimisht Daja pas ndeshjes.

“Ekipi edhe në ditë të vështira di ta menaxhojë lojën. Duhet të jemi më cinik në përfundimin e aksioneve. Duhet të bëjmë edhe freskimin në ekip pasi pas katër ditësh kemi sërish ndeshje të rëndësishme”.

“Duam të fitojmë edhe lojtarë të ri, që do të na duhen në një moment gjatë kampionatit. Nëse nuk u japim minuta, atëherë ata nuk do të jenë të gatshëm kur të kemi nevojë për ta”.

“Unë drejtoj një grup lojtarësh me karakter. Të luash çdo katër ditë është shumë e lodhshme. Do të mundohemi që në ditët e ardhshme të merremi me rikuperimin e lojtarëve”, përfundoi trajneri i Ballkanit. /Telegrafi/