Telegrafi

Ilir Daja i lumtur me fitoren ndaj Malishevës

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është shprehur i kënaqur me fitoren e radhës të ekipit të tij në Albi Superligën e Kosovës në futboll.

Ballkani ka fituar me rezultat 2-0 në udhëtim te Malisheva në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke marrë fitoren e pestë radhazi në kampionat.

Golat në këtë fitore të kampionit aktual të Kosovës u shënuan nga Nazmi Gripshi dhe Albin Berisha, ndërsa fitorja e ka lumturuar trajneri Daja.

Lexo po ashtu Ballkani nuk gabon, fiton me lehtësi në udhëtim te Malisheva

“Mungesa e Dellovës, Zybës dhe Kuçit që kishin ndeshje me Përfaqësuesen e Kosovës dhe Malit të Zi, u vërejt. Në pjesën e dytë ishim më të mirë, më të qetë, pas shënimit të golave në pjesën e parë”, ka thënë fillimisht Daja pas ndeshjes.

“Malisheva ka ekip simpatik me lojtarë të rinj e perspektivë. Pas rikonstruktimit të këtij stadiumi, është këndshëm të luash futboll në këtë fushë. Mua më vjen mirë sepse vazhdojmë me fitore edhe pse kundërshtari na vuri në vështirësi”.

“Ne kemi lojtarë me goxha cilësi individuale. Në momentin që dalin në raste të pastra duhet të jenë më cinik, më të saktë para portës. Duhet t’i shfrytëzojmë rastet që na vijnë”, përfundoi trajneri i Ballkanit. /Telegrafi/