Site icon Telegrafi

Ilir Daja i lumtur me fitoren ndaj Lirisë

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është shprehur i kënaqur me fitoren e sotme (e premte) ndaj Lirisë.

Ballkani ka fituar me rikthim dhe me rezultat të thellë 4-1 ndaj Lirisë në ndeshjen e vlefshme për javën e dhjetë në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Golat në këtë ndeshje për vendasit u shënuan nga Albin Berisha (49’), Lumbardh Dellova (50’) dhe Almir Kryeziu (55’, 79’), ndërsa Melos Zenunaj (15’) për mysafirët.

Pas ndeshjes, trajneri i therandasve, Daja u nda i kënaqur me reagimin e lojtarëve të tij dhe fitoren e ekipit.

Lexo po ashtu Ballkani mposht Lirinë me rikthim sensacional

“Do të thosha se Liria bëri futboll goxha të mirë në pjesën e parë dhe kaloi në epërsi, ka thënë fillimisht Daja pas ndeshjes.

“Rikthimi i Lirisë në Superligë është gjë e mirë. I përshëndes edhe tifozët për korrektësinë e tyre, që kishin ardhur për ta përkrahur skuadrën”.

“Liria i mungonte prej disa vitesh Superligës. Përveç që shënuan gol, patën edhe disa raste”.

“Neve na ndihmoi shënimi i golit në fillimin e pjesës së dytë, e më pas goli i dytë erdhi shpejtë. Në pjesën e dytë patëm ritëm dhe tani na pret ndeshja e vështirë me Astanan”, përfundoi trajneri i Ballkanit. /Telegrafi/

Exit mobile version