“Frankenshtain”, bazuar në veprën e Mary Shelleyt dhe i dramatizuar nga Tim Kelly, është produksioni më i fundit i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, i cili rikthen si regjisor në Tiranë Ilir Bokshin (pas “Edipit mbret” që ngjiti në skenën e këtij teatri më 2013).
Vepra vjen si premierë me datat 13, 14 dhe 15 prill ora 19:00. Në role interpretojnë: Helidon Fino, Besmir Bitraku, Lulzim Zeqja, Yllka Mujo, Klea Huta, Gent Hazizi, Erjona Kakeli dhe Niada Saliasi.
Viktor Frankeshtajn është një njeri i konsumuar nga shkenca dhe biologjia, pasioni jetësor i të cilit ka qenë të zbuloj shkakun e jetës apo e të dhënit jetë. Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një rrugë të kthejë në jetë indet e njeriut të vdekur. Më shkurt, ai është në gjendje të krijojë jetë duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij special.
Në kulturën popullore shumica s’e dinë se Frankeshtajn është vet shkencëtari e jo monstra. Megjithatë, janë disa që do të thonë se Frankeshtajni, për shkak të pikëpamjes së tij morale dhe asaj që ai ka arritur të krijojë, është po aq monstër sa krijesa që ka krijuar.
Adaptimi i Tim Kellyt qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike, sepse ndërkohë që i qëndron besnik romanit origjinal, vepra vjen në një zhanër plotësisht të veçantë, ku komikja dhe tragjikja janë të ndërthurura mjeshtërisht.
Skenografia e shfaqjes është bërë nga: Petrit Bakalli; kostumografia: Vese Kraja; muzika: Art Lokaj; maska: Jacopo Tomassini; asistent regjisore: Algiona Aga; përkthyes: Shkëlzen Berisha.