Site icon Telegrafi

Ilir Avdyli më i miri i xhiros së nëntë në Albi Mall Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 9-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të KF Llapi, Ilir Avdyli.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Bujar Guta, Luan Tabaku, Arton Hajdari.

Ky komision vendosi që portieri i KF Llapi, Ilir Avdyli të shpallet “Ylli i Javës” sepse gjatë gjithë lojës ishte në nivelin e detyrës e po ashtu kur skuadra e tij ishte me një lojtar më pak e mbrojti penalltinë dhe ishte më meritori që Llapi mori 3 pikë të plota.

Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e K.F. Llapi, Ilir Avdyli e ndau Benjamin Geci, menaxher marketingu në Albi Mall.

Pasi mori këtë çmim portieri i Llapit u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme dhe të vështirë, për faktin se në një periudhë të madhe të lojës luajti me një lojtar më pak, e madje disa minuta edhe me dy lojtarë më pak.

“Jam shumë i lumtur që jam shpallur më i miri i xhiros së 9-të, sidomos në një ndeshje kaq të luftuar siç ishte kjo me Lirinë. Është gjithmonë kënaqësi të arrish të mbrosh një penallti e ta ndihmosh ekipin me 3 pikët e radhës”.

“Aktualisht pas përmbylljes e fazës së parë, Llapi gjendet në pozitën e dytë me vetëm një pikë pas Ballkanit dhe besoj që me punën që po bëjmë jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivat tona. Falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për punën që po e bëjmë bashkërisht”, tha Ilir Avdyli për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version