Portieri 24-vjeçar konsiderohet një ndër portierët më të talentuar në futbollin e Kosovës, por në muajt e fundit nuk ka kaluar ditë shumë të mira për shkak të disa lëndimeve.
‘Gardiani’ shtatlartë i cili për një kohë ishte pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës, zbulon për Gazetaolle.com se është ndarë me ekipin e trajnerit Ismet Munishi.
“Aventura ime me Hajvalinë ka përfunduar. Nuk është vendim i lehtë që të largohem prej një klubi shumë korrekt. E falënderojë kryesinë e Hajvalisë për korrektësinë që e kanë treguar ndaj meje. Problemi është tek unë pasi që në kohët e fundit e kam pasur një krizë për shkak të disa lëndimeve, gjë që është normale e që i ndodh çdo futbollisti. Kam vendosur që 100 për qind të merrem me veten time, në mënyrë që t’i sanoj lëndimet ku do të punoj me trajnerin tim individual, Besart Bajraktarin”, ka deklaruar Ilir Avdyli për Gazetaolle.com.
Avdyli te Hajvalia është tash e një vit e gjysmë. Më parë ka luajtur për Ferizajn, Drenicën dhe KEK-un.