Site icon Telegrafi

Iliq: Serbia e ka pranuar pavarësinë e Kosovës

Kryetari i partisë Nova Srbija (Serbia e Re) Velimir Iliq, ka thënë se Serbia e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, dhe se kjo histori kaherë është mbyllur, por është duke u kërkuar mënyrë se si kjo t’i prezantohet opinionit.

Siç raporton FoNet, Iliq ka thënë se “Partia Progresiste Serbe (partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq) erdhi në pushtet për ta bërë këtë, dhe për këtë mori mbështetje, para së gjithash, nga kancelarja gjermane Angela Merkel”.

“Aleksandar Vuçiq është takuar me Hashim Thaçin, pa ndonjë platformë, pa mendimin e qeverisë dhe parlamentit. Ka vendosur që vetë ta përfundojë këtë raund të bisedimeve”, tha Iliq, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi se Presidenti i Serbisë ka pranuar konkluzionet e nxjerra në raundin e fundit të negociatave dhe tani vetëm duhet t’i zbatojë ato.

Iliq vlerëson se vendimi që Asociacioni i Komunave Serbe të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës nuk do të thotë asgjë, sepse në këtë rast ato nuk do të kenë organet qeverisëse, nuk do të kenë buxhetin e vet, as çfarëdo mjetesh të tyre.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Serbia kurrë nuk është dashur të pranonte që e gjithë pasuria t’i takojë Kosovës dhe që Prishtina të mund të disponojë në mënyrë të pavarur me resurset minerare, natyrore dhe energjetike.

“E vetmja gjë e mirë në këtë moment është se Jugu i Serbisë mbetet në juridiksionin tonë, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të tolerojë ndonjë ndryshim të kufijve”, tha Iliq.

Ai theksoi se Serbia ka marrë obligim që, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara,  të ndërtojë rrjetin rrugor që do të lidhë Prishtinën me Nishin dhe Prishtinën me autostradën Nish-Shkup, duke theksuar se ajo nuk ishte në strategjinë e zhvillimit të komunikacionit.

“Si një ministër kompetent, unë nuk kam dashur ta pranoj këtë dhe për këtë jam larguar nga kjo qeveri”, tha Iliq. /Telegrafi/

Exit mobile version