Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë propozim-ligjin për shfuqizimin e lustrimit.
Deputeti nga kjo parti Zoran Ilioski, sot në konferencë për shtyp tha se ata do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet ligjore që të parandalojnë miratimin e këtij propozim-ligji, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Partia e të amnistuarit Zoran Zaev tani bën amnisti të spiunëve. Fëmijët e spiunëve i amnistojnë paraardhësit e tyre”, tha Ilioski.
Seanca e sotme në Komisionin për Sistem Politik, në të cilën duhej të diskutohej për këtë propozim-ligj, u shty për disa minuta, pasi deputeti i OBRM-PDUKM-së Antonio Milloshoski kërkoi që ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, ta arsyetojë këtë propozim-ligj para tyre.
Kryetari i Komisionit Aleksandar Kiracovski, dha 30 minuta pauzë, që siç tha, ta kontaktojë ministren e Drejtësisë, edhe pse në seancë ishte prezent zëvendës ministri i Drejtësisë.
Ndryshe, me këtë propozim-ligji rrumbullaksohet korniza juridike, si qëllim strategjik i reformave në gjyqësi në lidhje me sigurimin e pavarësisë dhe mosanshmërisë dhe qaset drejt realizimit të orientimit strategjik për vendosje të kornizës juridike për shfuqizim të masave dhe pasojave juridike nga procesi i lustrimit.
Gjatë punës gjashtëvjeçare të Komisionit për lustrim për spiunë janë shpallur rreth 200 persona./Telegrafi/