Deputeti i OBRM-PDUKM-së, Ilija Dimovski, ka dërguar letër të hapur për kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, nga i cili kërkon respektim të rregullores së Kuvendit.
Dimovski në emër të deputetëve të OBRM-PDUKM-së dhe koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” reagon sa i përket procedurave për sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve, që sipas tij, është anti-kushtetues dhe rrezikon karakterin unitar të shtetit, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Është e palejueshme që në shtet demokratik, i cili pretendon të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s të shkelet gjitha procedurat dhe rregullat të cilat i parasheh Rregullorja e punës së Kuvendit. Me qëllimin tuaj që sa më parë së sillni ligjin për përdorimin e gjuhëve, janë shkelur disa nene të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në letrën e Dimovskit.
Ai më tej shton se flamuri evropian në ligjin për gjuhet është keqpërdorur vetëm me qëllim që sa më shpejtë të sillet ligji dhe të anashkalohen rregullat tjera.
Dimovski thotë se një shkelje dhe mosrespektim i tillë nuk është parë asnjëherë në Kuvendin e Maqedonisë, që siç thotë, për interesa partiake të shkelen të gjitha procedurat.
Ai duke u thirrur në nenin 145 të Rregullores së Kuvendit, kërkon që ligji për përdorimin e gjuhëve të vendoset në debat publike. Në të cilin do të ftohen profesionistë të fushës, profesorë të gjuhës maqedonase, shqipe, turke, boshnjake, serbe, rome dhe vllehe që të vlerësojnë ligjin./Telegrafi/