Telegrafi

Ilaçet e lidhura me kanabisin mund të lehtësojnë dhimbjet e osteoartrit

 Këto kompozime gjithashtu mund ta reduktojnë inflamacionin e nyjave, sipas një studimi të ri të kryer në Arthritis Research UK Pain Centre në Universitetin e Nottinghamit, transmeton koha.net.

Kanabisi përmban një numër të kimikateve natyrore të quajtura kanabinoide dhe truri ka aftësinë për të reaguar në kompozime të tilla. Kanabisi dhe kompozimet e kanabinoideve të prodhuara në mënyrë sintetike mund t’i lehtësojnë dhimbjet në modelet e artritit të kafshëve, por përdorimi i tyre është kufizuar për shkak të efekteve të padëshirueshme anësore psikologjike.

Tani, një ekip studiuesish të udhëhequr nga prof. Victoria Chapman në Arthritis Research UK Pain Centre në Universitetin e Nottinghamit ka treguar se synimi selektiv i njërës prej molekulave të përfshira në rrugët natyrore të ndjesisë së dhimbjes në trup, të quajtur cannabinoid receptor2 (CB2) gjithashtu mund ta zvogëlojë dhimbjen në modelet e osteoartritit tek kafshët.

Kjo funksionon pjesërisht përmes sistemit qendror nervor (shtyllës kurrizore dhe trurit). Kompozimi i përdorur në këtë studim, i quajtur JWH133, është një molekulë sintetike kanabinoide e prodhuar në laborator dhe nuk e ka prejardhjen nga bima kanabis.

Kur hulumtimi u zgjerua në njerëz, studimet e indeve të shtyllës kurrizore të njeriut treguan për herë të parë praninë e këtij receptori dhe është interesante se sasia e receptorit ishte e lidhur me peshën e osteoartritit. Kjo ofron dëshmi nga pacientët se ky objektiv i ilaçeve mund të ketë rëndësi klinike në dhimbjen nga osteoartriti.

Kanabinoidet janë të njohura për efektin e tyre antiinflamator, dhe ekipi ka demonstruar se JWH133 ka reduktuar nivelin e inflamacionit në studimet e tyre të osteoartritit. Kështu, ilaçet e shënjestruara nga kanabinoidi CB2 mund të kenë një efekt dyfish të dobishëm tek personat me osteoartrit, duke e siguruar reduktimin e dhimbjes, si dhe uljen e inflamacionit në nyje.
Gjetjet e tyre janë publikuar në internet në revistën “PLoS One”.

"Ky zbulim është i rëndësishëm, meqë rrugët sinjalizuese të dhimbjes kurrizore dhe të trurit njihen si kontribut i madh në dhimbjen që lidhet me osteoartritin. Këto të dhëna të reja e përkrahin vlerësimin e mëtejshëm të ndërhyrjeve selektive kanabinoide për trajtimin e dhimbjes nga osteoartriti," tha Victoria Chapman, profesoreshë e Neurofarmacisë.

Profesori Alan Silman, drejtor mjekësor i Arthritis Research UK, shtoi: "Miliona njerëz jetojnë me dhimbje të rënda molisëse nga osteoartriti, dhe një lehtësim më i mirë nga dhimbja nevojitet urgjentisht. Ky hulumtim nuk e mbështet përdorimin rekreativ të kanabisit. Ajo çfarë ai sugjeron është se ekziston një potencial për të zhvilluar një ilaç sintetik i cili imiton sjelljen e receptorëve kanabinoidë pa shkaktuar efekte të rënda anësore."

Trajtimi aktual është i kufizuar në lehtësuesit e dhimbjeve, në stërvitje, fizioterapi, humbje të peshës dhe zëvendësim të nyjave. Aktualisht nuk ka ilaçe që e ngadalësojnë përparimin e osteoartritit, dhe një trajtim më efektiv nevojitet urgjentisht. /Telegrafi/