Bum turistësh drejt Shqipërisë, një prej destinacioneve më popullore gjatë verës 2018, sipas të dhënave nga portalet e prenotimeve të hoteleve dhe fluturimeve, shkruan në faqen e saj në internet gazeta italiane Il Messaggero.
Vendi i Shqiponjave pëlqehet shumë edhe nga italianët. Rreth 5.7 për qind e tyre e kanë zgjedhur si destinacion për të kaluar pushimet e verës, por edhe ata që kërkojnë në internet informacione për Shqipërinë janë të shumtë.
Një rezultat i jashtëzakonshëm, nëse shihet historia e këtij vendi, që vetëm pak vite më parë turizmi gati nuk ekzistonte fare.
Arsyet përse turistët zgjedhin këtë vend si destinacion për pushimet e tyre janë të shumta.
Në radhë të parë ka një raport të shkëlqyer cilësi-çmim. Shqipëria është një destinacion i lirë dhe cilësia e shërbimeve është e mirë.
Nga ana tjetër, komentet e turistëve janë shumë pozitive dhe kjo tregon se vendi ka shumë për të ofruar.
Për të mos u nënvlerësuar është edhe pozicioni i mirë i Shqipërisë, që është pranë të gjitha baseneve të Mesdheut.
Në fund, një faktor tjetër i rëndësishëm që tërheq gjithnjë e më shumë persona janë 3,390 atraksionet turistike të vendit.
Mund të gjeni për të gjitha shijet. Nga plazhet e bukura të Velipojës, Rana e Hedhun, tek Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastasë dhe gadishulli i Karaburunit, pa harruar qytetet dhe fshatrat e shumta për të vizituar. /ATSH/ Telegrafi/