Site icon Telegrafi

Iku prej kohësh, por qartazi flet për kohën tonë: Shelley, poeti kundër korrupsionit moral dhe politik

Percy Bysshe Shelley, gravurë e vitit 1815, punuar nga William Finden

Nga: Kenan Malik / The Guardina
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“A do të kalojë korrupsioni pa u vënë re,
Në qiellin e lodhur, a do të lartësohet zëri i lajkave;
Dhe, a nuk do të jetë asnjë patriot që ta shqyejë vellon
Që fsheh këto vese nga drita e ditës?
A ka vdekur virtyti publik? – A ka humbur guximi?!”

Jo, assesi jo përshkrim i boshllëkut moral në Britaninë bashkëkohore, por rreshta nga “Eseja poetike për gjendjen ekzistuese të gjërave”, një zhvoshkje e shkatërrimit moral që ndodhte dy shekuj më parë në gjorgjianen e vonshme britanike (vitet 1814-’37 të sundimit të mbretërve George I, George II, George III dhe George IV – v. A. Sh.). U shkrua nga Percy Bysshe Shelley dhe u botua në mënyrë anonime më 1811, si mbështetje ndaj gazetarit radikal irlandez, Peter Finnerty, i cili u burgos për një deklaratë publike – pasi e akuzoi politikanin anglo-irlandez, Viskontin [Robert Stewart] Castlereagh, për torturat dhe ekzekutimet e rebelëve irlandezë që sfidonin sundimin britanik.

Poema e Shelley-it “humbi” për gati 200 vjet, përpara se një kopje e vetme e pamfletit të “rizbulohej” më 2006 dhe një dekadë më vonë të blihej nga Biblioteka Bodleiane e Oksfordit, kështu që – më në fund – mund të lexohej sërish nga publiku. Një poemë që i flet epokës sonë, po aq sa Britanisë së dy shekujve të mëparshëm.

E premtja shënoi dyqind-vjetorin e vdekjes së tij. U mbyt kur anija që e çonte për në shtëpi – pasi në qytetin italian të Livornos e vizitoi mikun dhe kolegun poet, Lord Byron – u përmbys prej një stuhie. Ishte një muaj pranë ditëlindjes së tij të tridhjetë.

[William] Wordsworth për Shelley-in ka thënë se ishte “një prej artistëve më të mirë nga të gjithë ne; e kam fjalën për mjeshtërinë e stilit”. Gjithashtu është një nga eseistët më të rëndësishëm tanë politikë, “armiku i pamëshirshëm i të gjitha autoriteteve të papërgjegjshme, veçanërisht autoritetit të papërgjegjshëm që rrjedh nga pasuria dhe nga shfrytëzimi”, siç vërejti Paul Foot, vepra e të cilit “Sheli i kuq” – e vitit 1981 – ndihmoi në rivendosjen e rëndësisë së punës politike të Shelley-t.

Dhurata më e madhe e Shelley-it ishte shkathtësia me të cilën e ndërthurte poetikën dhe politikën. Për Shelley-in, poezia kishte nevojë ta përvetësonte një dimension politik. Dhe, politika kërkonte imagjinatë poetike. Kjo ishte arsyeja se pse, siç e tha Shelley në një rresht të famshëm nga eseja e tij “Mbrojtja e poezisë”, “poetët janë ligjvënësit e panjohur të botës”.

Poezia nuk qëndroi larg botës, por u përpoq të angazhohej me të dhe ta transformonte atë. Jetojmë në një epokë në të cilën politikanët e klasës punëtore mund të tallen për përcjelljen e operës. Për Shelley-in, masa e kulturës së lartë qëndronte në shkallën në të cilën ajo mund ta ndizte imagjinatën e njerëzve të zakonshëm.

I lindur në aristokracinë e pronarëve të tokave, i shkolluar në Itën dhe në Oksford, Shelley dukej si i përcaktuar për një jetë në zemër të establishmentit britanik. Megjithatë, lindi gjithashtu në një epokë trazirash, në një vorbull intelektuale dhe politike të ndërsyer nga Revolucioni Francez. Kjo trazirë e ndihmoi Shelley-in ta gjente zërin e vet. Dhe, nga ana tjetër, Shelley u përpoq t’ia jepte zërin kësaj. Ishte – siç tha biografi i tij më mendjemprehtë, Richard Holmes – ashtu si poezia e tij; jo eterik siç do ta thoshte tradita letrare, por “më i errët dhe më tokësor”.

Vepra e parë e rëndësishme e Shelley-it, “Domosdoshmëria e ateizmit”, e botuar në vitin e tij të parë në Oksford, çoi në përjashtimin e tij nga universiteti dhe e tensionoi marrëdhënien me të atin deri në pikën kritike. Duke jetuar në mënyrë të pasigurt si shkrimtar shëtitës, Shelley më me qejf e gjeti shtëpinë e vet në skajin radikal të politikës britanike, si kryqtar kundër korrupsionit moral dhe politik, si aktivist për republikanizmin dhe për reformën parlamentare, për të drejtat e barabarta dhe për heqjen e skllavërisë, për fjalën e lirë dhe për shtypin e lirë, për lirinë e irlandezëve dhe për emancipimin katolik, për lirinë e fesë dhe për lirinë nga feja.

Idealet e tij politike shpeshherë ishin kontradiktore, shpirti i tij revolucionar përplasej me instinktet e tij fabiane (sipas politikanit romak, Quintus Fabius Maximus Verrucosus – v. A. Sh.) për ndryshim gradual dhe jo të dhunshëm. Megjithatë, ndryshe nga poetët tjerë romantikë, si Wordsworth dhe [Samuel Taylor] Coleridge, Shelley nuk e braktisi kurrë radikalizmin, përbuzjen ndaj autoritetit ose vlerën e zërave të njerëzve të klasës punëtore.

Jeta e tij personale ishte gjithashtu e trazuar. E la gruan e tij të parë, Harriet Westbrook – e cila më vonë ia merr jetën vetes – për të jetuar dhe për t’u martuar më pas me Mary Godwin-in, vajzën e filozofëve radikalë Mary Wollstonecraft dhe William Godwin. U përpoq përgjithmonë të gjente strehë prej mbledhësve të borxheve dhe, përfundimisht, ai dhe Mary u larguan nga Britania për të jetuar në Itali. Mary Shelley te “Frankeshtajni” do të krijojë një prej eksplorimeve të mëdha të kontradiktave të modernitetit dhe të asaj që do të thotë të jesh njeri.

I përbuzur nga institucionet letrare dhe politike, Shelley shkroi për autodidaktët e klasës punëtore, për të cilët mësimi dhe kultura ishin mjete për ta ngritur veten dhe për t’i sfiduar ata që ishin në pushtet. Nga frika prej pasojave, puna e tij u ndalua nga autoritetet, qoftë nëpërmjet censurës së drejtpërdrejtë ose nëpërmjet kërcënimit të botuesve për akuzën e rebelimit.

Si rezultati kësaj, pjesa më e madhe e punës së Shelley-it u botua tek pas vdekjes së tij. “Maska e anarkisë” është ndoshta poema më e famshme politike në gjuhën angleze, e shkruar me një zemërim të furishëm pas masakrës së Piterlusë së vitit 1819, kur të paktën 15 njerëz u vranë kur kalorësia u fut në një turmë prej rreth 60 mijë vetash që u mblodhën për ta kërkuar reformën parlamentare dhe zgjerimin e së drejtës së votës. Shelley ia dërgoi atë mikut të vet, redaktorit dhe botuesit radikal Leigh Hunt. Por, Hunt nuk e publikoi sepse, po ta bënte këtë, do të ishte si ta kërkonte burgimin e menjëhershëm për rebelim. Dhe, në vitin 1832, kjo poemë me strofën e saj të fundit të famshme, përfundimisht u botua:

“Çohuni si luanët pas gjumit
Në numrin e pamposhtur –
Si vesën për toke t’i shkundni zinxhirët
Që gjatë gjumit ranë mbi ju –
Ju jeni shumë – ata janë pak.”

Në dekadat që pasuan vdekjen e Shelley-it, poezia e tij u bë frymëzim përtej brezave dhe kufijve. [Poema] “Mbretëresha Mab” u bë e njohur si Bibël e çartizmit (lëvizje e shtypur në Britani – v. A. Sh.) që u lexua me zë të lartë në takimet e klasës punëtore. Slogani i sufragjeteve (e drejta për votën e grave – v. A. Sh.), “Veprat jo fjalët”, është marrë nga “Maska e anarkisë”. Dhe, kjo strofë e fundit ka qenë në buzët e shumë njerëzve që “shkundën zinxhirët “, që nga punëtorët grevistë hebrenj [për të drejtën e veshjeve fetare] në fillim të shekullit XX në Nju-Jork, e deri te protestuesit – 80 vjet më vonë – në Sheshin Tienanmen, si dhe një shekull më vonë në Sheshin Tahrir.

Dhe, mbi të gjitha, ndoshta te këmbëngulja e tij e kërkojmë sot zërin e Shelley-it kur vëmë në pikëpyetje pretendimin për pushtet të atyre në sundojnë. Sepse, siç tha ai te “Mbretëresha Mab”:

“Natyra e refuzon monarkun, jo njeriun;
Subjektin, jo qytetarin …
… dhe bindjen,
Shkatërrimi i inteligjencës, virtytit, lirisë, së vërtetës,
Nga njeriu bën skllevër dhe nga trupi njerëzor
Një automat mekanik”.
/Telegrafi/

Exit mobile version