Duke tentuar t’i ikë policisë, një person i dyshuar për vjedhje – tentoi të fshihet në rezidencën e presidentit gjerman në Bon.
Siç raportojnë mediat gjermane, hajni kishte tentuar të fshihet nga policia në vilën Hamershmit, një nga objektet më të ruajtura në Gjermani.
Për këtë arsye u janë nevojitur vetëm pak minuta që policia ta lokalizojë dhe arrestojë, transmeton Telegrafi.
Nga policia gjermane, agjencisë DPA i është thënë se gjithçka ka ndodhur kur presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, e kaloi natën në atë vilë për shkak të disa takimeve që i kishte pasur.
Policia ka bërë të ditur se për asnjë moment nuk ka pasur rrezik për kreun e shtetit gjerman.
Hajni me sa duket nuk e ka ditur se në pronën e kujt ishte futur, kur kërceu rrethojën duke ikur nga policia. Ata e kishin gjetur duke tentuar të fshihet në bari.
Ndryshe për të ishte lëshuar urdhër-arrest për vjedhje të veturave, e tani i ngarkohet një akuzë e re – për hyrje pa leje në pronë private. /Telegrafi/