Telegrafi

IKSHPK uron nxënësit për fillimin e vitit shkollor, kërkon respektimin e masave

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021, duke rekomanduar zbatimin e rregullave te reja në shkollë për ruajtjen e shëndetit.

IKSHPK kërkon që të respektohen masat ndaj pandemisë COVID-19, duke shtuar se është në mbikëqyrje të vazhduar të situatës epidemiologjike.

“Instituti Kombëtar i uron të gjithë̈ nxënësve dhe mësimdhënësve vitin e ri shkollor 2020/2021, duke rekomanduar zbatimin e rregullave te reja në shkollë për ruajtjen e shëndetit. Instituti Kombëtar është në mbikëqyrje të vazhduar të situatës epidemiologjike e në veçanti prioritet e ka shëndetin e fëmijëve. Çdo shkollë do ta përcjellë shëndetin e çdo nxënësi përmes Task Forcës së saj dhe Task Forcës komunale duke bërë të mundur identifikimin në kohë reale. Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes te fëmijët do të hulumtohet dhe gjurmohet menjëherë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

E hëna do t’i gjejë nxënësit nëpër banka shkollore, pas një shtyrje 14 ditore në mënyrë që shkollat të përgatiten për procesin mësimor. /Telegrafi/