Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë sot të ditur se janë shënuar tri raste të vdekjes nga coronavirus, ndërsa sërish bëri thirrje që të barten maskat në ambientet e mbyllura.
IKSHPK rikujton se pandemia nuk ka përfunduar.
Lexoni të plotë njoftimin e IKSHPK-së:
Të nderuar qytetarë!
Gëzuar Festa e Kurban Bajramit!
Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni!
Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim.
Fatkeqësisht sot janë raportuar tre raste të vdekjeve nga kjo sëmundje!
Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar.
IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.
Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç;
me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë.
MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19. /Telegrafi/