Brenda 24-orëve të fundit në Kosovë nga coronavirusi kanë humbur jetën tetë persona, ndërsa janë konfirmuar 632 raste të reja.
IKSHPK thotë se rritja e rasteve të reja është si pasojë e neglizhimit të masave antiCOVID, prandaj kërkojnë që të respektohen këto masa, transmeton Telegrafi.
“Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
“Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”, vijon reagimi.
IKSHPK kërkon të respektohen masat:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
“IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve”. /Telegrafi/