Telegrafi

IKSHPK ngre alarmin: Për dy muaj gati 10 mijë raste me grip sezonal

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes pasi gripi sezonal në Kosovë është duke u përhapur me të madhe.

IKSHPK thotë se edhe pse gripi sezonal akoma nuk ka arritur pragun epidemik, vërehet një intensitet i shtuar i rasteve me grip sezonal në vendin tonë.

Ky institucion ka bërë të ditur se nga 1 tetori e deri më 9 dhjetor të këtij viti, janë raportuar 9,788 raste të sëmundjes së ngjashme me grip, 2,033 raste infeksione respiratore akute dhe 57 raste me infeksion të rëndë respirator akut.

“Prej 01 tetor 2021 deri më 09 dhjetor 2021 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 9.788 raste të Sëmundjes të ngjashme me Grip, 2.033 raste Infeksione respiratore akute dhe 57 raste me Infeksion të rëndë respirator akut”.

Sipas IKSHPK-së, në laboratorët e Qendrës kombëtare të gripit është identifikuar tipi A i gripit sezonal, subtipi H3, i cili gjendet në komponentën e vaksinës së gripit e cila mbron personat e vaksinuar.

IKSHP apelon te të gjithë Drejtorët Komunal të Shëndetësisë të ngritet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal, por rekomandohet vaksinimi për të gjithë personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar./Telegrafi/