Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes një kumtese ka reaguar pasi është vërejtur se qytetarët nuk janë duke i respektuar rekomandimet e dhëna për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Sipas këtij instituti, lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Komunikata e IKSHPK:
“Të nderuar qytetarë!
Kjo situatë si në foto është e pa tolerueshme!
Mbrëmë detektuam një rast pozitiv në Prishtinë!
Ky rast nuk është për tu festuar, por për tu brengosur!
Kështu ka filluar më 13 mars!
Një rast i vetëm në Stubëll!
Një rast i vetëm në Klinë!
Një rast i vetëm ka filluar në Malishevë!
Një rast i vetëm në Dumnicë!
Një rast i vetëm në Wuhan!
Një rast i vetëm në Codogno!
Krejt janë raste të vetme që kanë arritur në mbi 4.000.000 në botë dhe po vazhdon akoma!
Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave!
Virusi akoma gjendet në mesin tonë.
Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.
Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave nē vendet publike.
Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19!
Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.
Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj!
Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.
Ju faleminderit për mirëkuptim!”, thuhet në komunikatë.
Në Kosovë u regjistrua të premten vetëm një rast i ri me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) tha se ka testuar gjithsej 243 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Rasti pozitiv, sipas IKSHPK-së, është rast kontakti nga Komuna e Prishtinës.
IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të premten janë shëruar 61 pacientë, që më herët janë diagnostikuar me koronavirus.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 622.
Të premten po ashtu vdiq një 77-vjeçar nga Komuna e Rahovecit, i cili ditë më parë është diagnostikuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Gjithsej, në Kosovë janë konfirmuar 862 raste me koronavirus – prej tyre 28 kanë vdekur.
Fotografia e publkuar nga IKSHPK duket se është bërë sot nga shpërndarja e ndihmave me pako ushqimore për banorë të Prishtinës. /Telegrafi/