Telegrafi

IKSHPK jep detaje për helmimin në Han të Elezit, rekomandon që uji të vlohet para përdorimit

Foto ilustruese

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka dalë me detaje për helmimin në Han të Elezit.

IKSHPK, thotë se pas marrjes së informatës nga drejtoresha e DSHMS të Hanit të Elezit se mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF të Hanit të Elezit, ekipa e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike ka dalë në terren dhe është informuar se pjesa dërmuese e këtyre personave janë nga fshati Gorancë dhe pjesa tjetër nga fshatrat Glloboçicë dhe Seqishtë.

Personat që janë paraqitur kanë simpotmat e njëjta: barkqitje, vjellje, temperaturë.

Dyshimet e drejtoreshës së DSHMS dhe asaj të QKMF bazohen në faktin se dukshëm është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore nga fshati Gorancë që nga data 28 qershor kur edhe është lëshuar në përdorim edhe një burim i ri i ujit të pijshëm për të cilin dyshohet se është i kontaminuar.

Ky burim së bashku me atë paraprak derdhen në të njëjtin rezervoar. Pjesa tjetër e banorëve të fshatit Seqishtë furnizohen me ujë nga burimi i Glloboçicës.

Lexo po ashtu Rreth 120 persona helmohen në Han të Elezit, shkaktar dyshohet të jetë uji i pijshëm

IKSHPK, thotë se ekipet në terren janë informuar se burimi i fshatit Gorancë nuk monitorohet nga KRU-Bifurkacioni, ndërsa ai i Glloboçicës po.

Sipas tyre, mostrat e ujit të marra gjatë ditës së hënë për analizë fiziko-kimike përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normalë.

Po ashtu janë marrë po ashtu mostrat e ujit edhe për analizë bakterore, të cilat IKSHPK thotë se janë duke pritur rezultatet.

“Ekipi i Epidemiologjisë së bashku me ekipen e DSHMS të Hanit të Elezit janë në terren duke anketuar personat të cilët janë paraqitur në QKMF. Në momentin që IKSHPK i ka rezultatet e para, publiku do të informohet në kohë reale”, thuhet në njoftim.

Rekomandimi i IKSHPK-së – uji që përdoret për pije dhe ushqim të vlohet para përdorimit dhe të mos ndërpritet furnizimi për shkak që mund të përdoret për nevoja të tjera teknike./Telegrafi/