Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në Ditën Botërore të Diabetit, ka thënë se në Kosovë, 24.7% e pacientëve kanë diabet të tipit 2, ndërsa 14.9% diabet të tipit 1 (të varur nga insulina). Për të dy llojet e diabetit numri më i lartë është te femrat, mbi 50%, si dhe te grup mosha mbi 60 vjeç.
Sipas institutit, personat me diabet duhet të jenë shumë më të kujdesshëm në respektimin e masave të përgjithshme për të shmangur virusin.
“Bartja e maskës, distanca fizike, higjiena personale dhe e ambientit dhe evitimi i udhëtimeve dhe tubimeve të panevojshme. Në veçanti, duhet parapërgatitur për infeksion të mundshëm, duke monitoruar në mënyrë të rregullt glukozën në gjak, që mund të ndihmojë në shmangien e komplikimeve të diabetit. Çdo infeksion do të rrisë nivelet e glukozës në gjak, prandaj sigurohuni që të keni furnizim me barna të mjaftueshëm për diabet. Siguruar kontrollin e situatës nëse niveli i glukozës në gjak bie papritur. Nëse jetoni vetëm, sigurohuni që dikush të dijë që keni diabet pasi mund të keni nevojë për ndihmë nëse sëmureni”, thuhet në njoftimin e institutit.
Postimi i plotë i institutit:
Sot është Dita Botërore e Diabetit. Çdo vit me 14 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit (IDF) organizojnë Ditën Botërore të Diabetit. Ditë e cila në shumë vendet e botës, e edhe tek ne, kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me kontrollin dhe masat e parandalimit të kësaj sëmundje që është duke shkaktuar “pandemi globale”.
Diabeti radhitet në grupin e sëmundjeve socialo mjekësore që shkaktojnë probleme serioze si në aspektin shëndetësor, social e ekonomik. Në vendet e zhvilluara numri më i madh i diabetikëve haset në mosha mbi 65 vjeç, në vendet në zhvillim në moshat 45-64 vjeç, por vitet e fundit diabeti tip 2 paraqitet edhe në moshat 30-40 vjeç.
Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi që është një sëmundje e cila nëse nuk zbulohet dhe trajtohet me kohë, mund të shkakton ndërlikime serioze si, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje nervore, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj. Tek personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet.
Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut deri 25%. Personat me diabet kërkojnë mjekim të gjatë dhe hospitalizim të shpeshtë, prandaj tek ata zvogëlohet aftësia punuese, rritet shkalla e invaliditetit dhe absentizmit.
Sëmundja e Diabetit kërkon angazhim serioz jo vetëm të të sëmurit dhe punëtorëve shëndetësorë por edhe shoqërisë në përgjithësi.
Në mbarë botën:
Në vitin 2019 rreth 463 milion të rritur jetonin me diabet dhe ky numer pritet të rritet në 578 milion deri në vitin 2030
Diabeti shkaktoi 4.2 milion vdekje gjatë vitit 2019
Një në dy të rritur me diabet është i pa diagnostikuar
Rreth 12% e shpenzimeve globale në shëndetësi aktualisht shpenzohet për të rriturit me diabet.
Deri në 50% e njerëzve të diagnostikuar me COVID-19 kanë qenë me diabet
Në Kosovë, 24.7% e pacientëve kanë diabet të tipit 2 ndërsa 14.9% diabet të tipit 1 (të varur nga insulina). Për të dy llojet e diabetit numri më i lartë është te femrat, mbi 50%, si dhe te grup mosha mbi 60 vjeç.
Roli i infermierëve po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në menaxhimin dhe parandalimin e zhvillimit të diabetit prandaj edhe,
Kampanja e sivjetme është me moton:
“Infermierët dhe diabeti ”
Infermierët kanë rol të rëndësishëm në:
Diagnostikim dhe trajtim të hershëm të diabetit
Trajnim të pacientëve për vetë-menaxhim të diabetit dhe ofrim të mbështetjes psikologjike për diabetikët
Identifikim të faktorëve të rrezikut për diabetin e tipit 2 me qëllime të parandalimit të tij.
Infermierët mund të bëjnë ndryshim për njerëzit që jetojnë me diabet.
COVID-19 dhe diabeti
Personat me diabet duhet të jenë shumë më të kujdesshëm në respektimin e masave të përgjithshme për të shmangur virusin:
Bartja e maskës,
Distanca fizike,
Higjiena personale dhe e ambientit
Evitimi i udhëtimeve dhe tubimeve të panevojshme.
Në veçanti, duhet parapregaditur për infeksion të mundshëm, duke:
Monitoruar në mënyrë të rregullt glukozën në gjak, që mund të ndihmojë në shmangien e komplikimeve të diabetit. Çdo infeksion do të rrisë nivelet e glukozës në gjak, prandaj sigurohuni që të keni furnizim me barna të mjaftueshëm për diabet.
Siguruar kontrollin e situatës nëse niveli i glukozës në gjak bie papritur. Nëse jetoni vetëm, sigurohuni që dikush të dijë që keni diabet pasi mund të keni nevojë për ndihmë nëse sëmureni.