Telegrafi

IKSHPK bën apel të vlohet uji për pije: Masë e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike  

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sërish u ka bërë thirrje qytetarëve që ujin para përdorimit ta vlojnë, si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike.

IKSHPK thekson se vlimi i ujit është masë e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike.

Instituti thekson se të si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit tonë situata me ujë të pijes është vështirësuar dukshëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse.  Ekipet e Institutit Kombëtar kanë ngritur vigjilencën dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të  pijes.

Të gjitha QRSHP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.

Duke pasur parasysh se janë regjistruar vlera të shtuara të turbullirës në shumë burime, si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit në zonat me të dhënat e përditësuara (21 Janar 2023):

KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: fabrika në Shkabaj dhe fabrika në Drenas.

Dy fabrikat janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë të proceseve teknologjike të përpunimit të ujit. Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina.

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKSHPK janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

KRU “Mitrovica”- Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë kanë startuar trajtimin e ujit me kapacitet të zvogëluar

Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike dhe bakteriologjike rezultojnë se uji nuk është brenda standardeve, andaj rekomandohet që uji para përdorimit të vlohet.

Për shkak të vërshimeve uji i puseve nuk është i sigurt dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit.

KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: burimin Drini i Bardhë –Radavc dhe burimi Shkozë, Junik.

Turbullira vazhdon të jetë prezentë në burimet Burimi Drini i Bardhe-Radavc dhe burimi Shkozë-Junik.

Ndërsa për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarine – Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë.

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP – Pejë janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës: burimi në Demjan, Gërqinë dhe Rekë.

Në zonat e furnizimit nga KRU”Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë, të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.

Në zonat e furnizimit nga burimet në Demjan, Gërqinë dhe Rekë uji nuk është për pije për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës

KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kaçanik.

Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë dje dhe sot në Ferizaj dhe Kaçanik janë brenda standardeve për ujin e pijes.

Uji në rrjetet shpërndarëse është normalizuar dhe është brenda standardeve të parapara për ujë të pijshëm.

IKSHPK/Qendra e ujit rekomandon dhe apelon qytetarët që:

Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike.

Të shfrytëzohen resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar.

IKSHPK / Qendra e Ujit rekomandon të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) me qëllim të stabilizimit të furnizimit:

Bashkëveprimi i IKShPK/QU dhe KRU-ve me institucionet shtetërore është në vazhdimësi deri në qetësimin e situatës. /Telegrafi/