Site icon Telegrafi

IKSHPK apelon: Omicron po përhapet shpejt, vaksinohuni!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka alarmuar se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, pasi varianti Omicron i coronvirusit është tejet ngjitës. Andaj ISHPK apelon tek të gjithë qytetarët e Kosovës që të respektohen masat anti-COVID dhe të vaksinohen edhe me dozën e tretë dhe përforcuese.

Në komunikatën e IKSHPK-së thuhet se “nga fillimi i vitit ka filluar rritje e rasteve pozitive me COVID-19 e veçmas me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) duke shtuar intensitetin çdo ditë dhe është varianti dominues në qarkullim”.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik. Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”.

Më tej IKSHPK thotë se është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

“Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska!”

Sipas IKSHPK, duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare.

“Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj. Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën përforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare. Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen!”

“Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin”.

“Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor!”, apelon IKSHPK.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka njoftuar se të enjten, më 13 janar, janë regjistruar 427 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 5,881 mostrave.

Shkalla e pozitivitetit nga mostrat e marra është 7.26 për qind. Në 24 orët e fundit nuk janë regjistruar dy viktima.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se 31 persona janë shëruar derisa 2,811 persona janë ende aktivë në coronavirus. Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet kosovare kanë regjistruar mbi 163,000 raste të infektimit. Prej tyre 2.994 persona kanë vdekur. /Telegrafi/

Exit mobile version