Telegrafi

IKSHPK: Analiza mikrobiologjike rikonfirmon se uji në Deçan nuk është i kontaminuar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se analizat mikrobiologjike të mostrave në rastin e helmimit të banorëve në Komunën e Deçanit, kanë dalë negative.

Sipas konfirmimit të IKSHPK-së, bazuar në rezultatet e fundit, uji nuk është faktor kontaminues që ka ndikuar në helmimin e banorëve të Deçanit.

Infektologu në Spitalin e Pejës Halil Komoni thotë se nuk ka vend për panik me situatën e helmimeve në Deçan.

“Gjërat fillestare flasin për një fatkeqësie elementare natyrore. Bëhet fjalë për një epidemi hidrike, sipas të gjitha gjasave, mirëpo nuk ka hapësirë për panik, por ka hapësirë për ndihmë dhe solidaritet”, tha Komoni.

Kujtojmë se edhe analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit në gjashtë fshatra kanë rezultuar poashtu dy herë negative dhe sipas standardeve për konsumimin e ujit.

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha ka bërë të ditur se tashmë ka arritur një kontingjent me barna për t’i ardhur në ndihmë pacientëve të cilët po trajtohen për helmim.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Bazuar në të dhënat nga Drejtoria e Shëndetësisë, nga dita e shtunë e deri më sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë shëndetësore mbi 1 mijë pacientë, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit./Telegrafi.