Site icon Telegrafi

IKSHP del me rekomandime për ujin e pijes, pas vërshimeve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) ka bërë të ditur se pas vërshimeve të fundit në Kosovë, bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pije, të dhënat laboratorike për parametrat bakteriologjik dhe kimik rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije.

IKSHP me këtë rast ka dalë me disa rekomandime që sigurimi i ujit higjienik për pije të ofrohet nga cisternat e kompanive ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e vërshuara.

Furnizimi i banorëve duhet të bëhet me ujë të ambalazhuar për pije dhe përgatitje të ushqimit, derisa uji i puseve në vendbanimet e vërshuara është ndotur nga plehrat dhe materiet fekale dhe nuk guxon të përdoret për pije dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit në 100 gradë Celsius së paku 10 minuta.

IKSHP kërkon nga kompanitë ujore publike të përforcojnë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojnë ujin, si dhe ujësjellësit të furnizojnë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe parandalimin e epidemive hidrike.

Ndër rekomandimet e këtij instituti është edhe debllokimi i nyjave të kanalizimeve për të mos kontaminuar lagjet e vërshuara me materie fekale në të gjitha vendbanimet e prekura nga vërshimet.

Situata epidemiologjike është në kontroll të vazhdueshme nga ekipet kujdestare të IKSHP-së dhe çdo ndryshim i situatës në terren do të pasojë me rekomandime të reja, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version