Ikona britanike e modës Vivienne Westwood vdiq më 29 dhjetor, njoftoi labeli i saj i modës. Ajo ishte 81-vjeçare.
“Vivienne Westwood vdiq sot, në mënyrë paqësore dhe e rrethuar nga familja e saj, në Clapham, Londra e Jugut. Bota ka nevojë për njerëz si Vivienne për të bërë një ndryshim për më mirë”, tha labeli i modës në Twitter.
Westwood ishte e njohur për aktivizmin e saj rebel politik në pistë dhe ngritjen e punk-ut në lartësi më të mëdha duke shkrirë modën me muzikën.
E lindur Vivienne Isabel Swire më 8 prill 1941 në fshatin Tintwistle në Anglinë veriore, ajo studioi në Londër. Martesa e saj e parë ishte me punëtorin e fabrikës Derek Westwood, me të cilin kishte një djalë.
Në vitin 1992, ajo u martua me Andreas Kronthaler, i cili ishte ish-studenti i saj dhe 25 vjet më i ri.
Disa vite pasi u largua nga Derek Westwood, Vivienne Westwood u takua me Malcolm McClaren, menaxher i Sex Pistols. Së bashku ata hapën një dyqan veshjesh të quajtur “Let It Rock” në King’s Road të Londrës, i cili lindi lëvizjen e saj punk.
Westwood mbajti shfaqjen e saj të parë të madhe të modës, Koleksioni Pirate, në vitin 1981. Krijimet e saj u fokusuan në historinë britanike dhe franceze në veçanti dhe i prezantoi ato në një mjedis më modern.
Ajo u bë e famshme për dizajnet e saj androgjene, aktivizmin, bluzat me slogane dhe qëndrimin anti-establishment. Ajo ngriti hapur çështje politike dhe sociale, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe lirinë për themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange, në pasarelë.
Nga vitet 2000, Westwood ishte një emër kryesor në botën e modës. Ajo veshi jo vetëm elitat, por edhe krijoi fustane të paharrueshme për personazhet e trilluar, si Carrie Bradshaw në “Sex and the City” dhe Miss Piggy. /Telegrafi/