Raportimet e fundit për ikjen e qytetarëve nga Kosova, ka bërë që deputetë të opozitës dhe disa deputetë të tjerë të partive në pushtet, të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Thirrjen e seancës e kanë kërkuar, 41 deputetë me pikën e vetme të rendit të ditës: Debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset vendit nga paslufta.
E lidhur me këtë kërkesë të deputetëve, Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot për të shqyrtuar këtë kërkesë.
Mbledhja do të mbahet në orën 10:00.
Ndërkaq po në të njëjtën orë është paraparë të mbahet edhe vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës ku në rend dite janë disa pika që kanë mbetur pa u përfunduar në seancat e kaluara. /Telegrafi/